Gati 73 milionë USD koncesione për klientelën e Ramës më 2017

Kastriot ISLAMI

Në fakt të gjithë të ashtuquajturat PPP apo Partneritet Privat Publik, nuk janë veçse tendera me afat 10-vjeçar sepse koncesionet klasike janë kur një pronar privat merr përsipër të investojë me paratë e tij për një shërbim, të cilin buxheti i shtetit nuk mundet ta financojë dhe pasi e shfrytëzon investimin për një periudhë kohe duke nxjerrë paratë e investimet e natyrisht, duke pasur edhe një fitim të arsyeshëm pronari privat ja kthen investimin pronarit publik.
Kurse në rastin e PPP të Rilindjes bëhet fjalë për financimin nga buxheti i shtetit, çdo vit dhe për një periudhë që shkon nga 5 deri në 15 vjet të një shërbimi publik që e kryen privati me paratë e taksapaguesve nga buxheti i shtetit. Pra, në vend që ta kryejë shteti një shërbim me paratë e buxhetit e kryen privati po me paratë e buxhetit dhe privati vetëm përfiton tenderin me miqësi dhe fitimet që me shumë gjasa i ndan me kupolën e qeverisë.
Ky lloj mekanizmi ka krijuar detyrime të konsiderueshme për 5-15 vjet për buxhetin e shtetit. Këto tendera i janë dhënë në mungesë të plotë të transparencës dhe pa asnjë konkurrim klientelës së qeverisë. I janë dhënë një grupi shumë të ngushtë, prej 6-7 vetësh, pranë kupolës qeverisëse, oligarkike e korruptive. Dhe janë gjithsej 7.3 miliardë lekë ose rreth 73 milionë dollarë që duhet të jepen më 2017. Po aq sa jepen nga buxheti për arsimin e lartë. Tetë herë më shumë sesa pagesa e papunësisë.
Pra, janë para që kalojnë, pa konkurrim, nga buxheti i shtetit te pjesëtarët e oligarkisë pranë qeverisë, një kupolë që pasurohet dhe ngushtohet në kurriz të varfërimit dhe mjerimit të 99 për qind të popullsisë. Nga të cilët 400 mijë jetojnë me 400 lekë në ditë. Kurse rreth 600 mijë janë pensionsitë që mbijetojnë.

2016, viti më i keq ekonomik

“16 mijë shqiptarë kanë një pasuri që arrin deri në 1 milion dollarë. Ose thënë ndryshe 0.7 % të popullsisë e zënë milionerët”. Të dhënat publikohen në raportin e fundit mbi pasurinë globale të Credit Swisse, ç’ka tregon qartë për hendekun e madh që është krijuar mes të pasurve dhe të varfërve në vend.
Referuar këtij raporti mësojmë se pjesa më e shqiptarëve në moshë madhore janë relativisht të varfër. “73.3%  e popullsisë shqiptare disponon në total një pasuri nën 10 mijë dollarë”, thuhet në raport. Ndërsa ata që mund të quhen shtresa e mesme dhe që zënë 26% të popullsisë kanë një pasuri që luhatet nga 10 mijë deri në 100 mijë dollarë.
Në raportin për pasurinë globale për vitin 2016, të publikuar nga Credit Swisse rezulton se totali i pasurisë së shqiptarëve është 21 miliardë dollarë. Pasuria për çdo të rritur shqiptar është rreth 9 200 dollarë. Pasuria e të rriturve shqiptarë është shumë më e ulët se mesatarja botërore prej rreth 52.8 mijë dollarë dhe ndër më të ulëtat në rajon.
Po sipas këtij raporti mësojmë se shqiptarët kanë qenë më të pasur para 10 vitesh. Të dhënat tregojnë se viti kur të rriturit shqiptarë janë vlerësuar se kanë patur pasuri të lartë është fundi i 2007-s, me 14,865 dollarë. Më pas, fillimi i krizës globale duket se ka varfëruar dhe shqiptarët, që panë një rënie të pasurisë së tyre, për të arritur në 9200 dollarë në fund të 2010.
Tejkalimi i krizës bëri që pasuria të përmirësohej, duke u ngjitur në 10,195 dollarë në fund të vitit 2013. Më pas kemi sërish rënie, për të zbritur në 8,713 dollarë më 2015-n, niveli më i ulët ky që nga viti 2003. Ndonëse më 2016-n u raportua rritje, për të arritur në rreth 9200 dollarë, pasuria e shqiptarëve më 2015-2016 vlerësohet, sipas raportit, që të jetë më e ulëta e dekadës së fundit.

Exit mobile version