Gati anti-Zvicra!

Pavarësisht skema të provuara në këto ditë grumbullimi në Austri, Italia dhe së fundmi në “Perros Guirec”, duket se trajneri Xhani De Biasi do t’i kthehet formacionit të vjetër në sfidën me Zvicrën, atij që na solli deri në Francë 2016. Në sfidën e parë europiane, porta do të mbrohet nga Ertrit Berisha, i cili vazhdon të mbetet numri 1 i Kombëtares tonë. Në mbrojtje do të jenë të përhershmit Hysaj, Cana, Mavraj dhe Agolli, ndërkohë që në mesfushë pritet të ketë një ndryshim nga formacioni që zbriti në fushë ndaj Ukrainës.
Burim Kukeli, i cili për shkak të dëmtimit ishte në dyshim për të qenë në 23-she, ka arritur këto ditët e fundit t’ia mbushë mendjen trajnerit italian ta aktivizojë atë që nga minuta e parë në sfidën përballë Helvetikëve. Përkrah tij në këtë repart pritet të jenë Xhaka dhe Abrashi, ndërkohë që Lenjani dhe Roshi do të furnizojnë nga krahët Sadikun, autorin e golit të vetëm ndaj Ukrainës. 2 gola të shënuar në 2 ndeshje miqësore kanë bërë që elbasanasi ta fitojë vendin e titullarit në sfidën e 11 qershorit.
Në këto finale nuk janë kuqezinjtë debutues. Në një artikull, faqja prestigjioze online e futbollit, Goal.com bën një renditje të 24 lojtarëve debutues për t’u ndjekur në këtë europian. Në artikull është përzgjedhur nga një futbollist për çdo skuadër. Për Shqipërinë, Goal.com ka përzgjedhur kapitenin Lorik Cana, që është vendosur mes Gareth Bale, Hamsik, Paul Pogba dhe Eden Hazard. Cana nuk është shqiptari i vetëm në këtë listë, pasi për t’u ndjekur me kujdes Goal.com këshillon edhe Granit Xhakën e Zvicrës.
Ndërkohë, ish-sulmuesi legjendar i Manchester United, Eric Cantona ka folur për mundësitë e ekipeve për të fituar Kampionatin Europian, i cili nis sot me ndeshjen e parë hapëse Francë-Rumani. Ish-lojtari i kombëtares franceze ka reaguar ndaj një parashikimi të bërë nga një prej bankave më të mëdha në botë, ku thuhej se Shqipëria ka zero shanse për të fituar Europianin, ndërsa në vendin e parë vendosej Franca me një mundësi prej 26 për qind.
“Goldman Sachs, një prej bankave më të mëdha në botë kishte bërë një listë me skuadrat e mundshme që mund të fitojnë Europianin. Sipas tyre, Franca ishte e para me 26 për qind dhe Shqipëria e fundit me zero për qind. Kjo është një idiotësi, më vjen që të godas dikë përsëri. Si një skuadër nuk paska asnjë mundësi për të fituar? E Greqia në 2004, dhe ata sikur nuk kishin asnjë shans për të fituar? Apo Danimarka në 1992, e Leicecster në Angli?”, ka thënë Cantona.
Legjenda e United ka shtuar se futbolli luhet me zemër, përkushtim dhe talent dhe gjithçka është e mundur. “Unë i jap Shqipërisë një shans për të fituar titullin, madje dhe Islandës gjithashtu. Futbolli nuk ka lidhje me numrat dhe statistikat, por me zemrën, përkushtimin dhe talentin. Ka të bëjë me ëndrrën, dhe në ëndërr gjithçka është e mundur”, ka thënë ish-sulmuesi i Francës.

Artikulli paraprakTaulanti: Do ta ndal Granitin edhe nëse do të shkaktoj faull
Artikulli tjetërFIFA: Udhëtimi mahnitës i Shqipërisë