Pas shpërthimit të “papritur” të “Koalicionit Euroatlantik” me një startim që ka përfshirë vëmendjen dhe simpatinë e miliona shqiptarëve, duket se pas tentativave të dështuara për ta injoruar dhe defaktorizuar, kanë nisur kundër-masat në terren.
Jo në kuadër të luftës politiko- elektorale, por me mënyra dhe veprime antiligjore. Alfapress.al nëpërmjet burimeve të sigurta ka mësuar se Sekretari i Përgjithshëm i PD Flamur Noka dhe kandidati për deputet i po kësaj force në Qarkun Dibër, Xhemal Gjunkshi, janë kapur në përgjime duke u bërë presion dhe shantazh për t’u tërhequr nga gara, kandidatëve të “Koalicionit Euroatlantik”.
Sipas të njëjtave burime, të dy rrezikojnë arrestimin pas hetimeve. Kujtojmë se këto zgjedhje përveçse nga agjencitë ligjzbatuese shqiptare, po monitorohen në mënyrë të rreptë nga ndërkombëtarët. Përfshirja e Flamur Nokës dhe ish-gjeneralit Xhemal Gjunkshi në veprimtari të jashtëligjshme duke u bërë presion kandidatëve të një force rivale në garën zgjedhore, futet te nenet më të rënda të Kodit Penal dhe Zgjedhor për krimet zgjedhore. Duket se shndërrimi i “papritur” i Xhemal Gjunkshit nga “bashist” në “berishist” në prag të Primareve, ka qenë i kalkuluar për të goditur dhe përçarë “Euroatlantikët” në Qarkun e Dibrës, gjatë fushatës elektorale.
Gjunkshi edhe pse nuk e kaloi dot pragun te Primaret, me urdhër nga lart, (Flamur Noka), u katapultua në Listën e hapur të PD në Dibër, edhe pse ngjalli kundërshti dhe zemërim te ata që e kishin ndjekur Berishēn që nga shpallja non grata. Sekreti i katapultimit të Gjunkshit mund të ketë lidhje me rolin e tij tepër aktiv si shef shtabi i Forcave të Armatosura në dosjen e Klubit Partizani. Por t’u bësh presion kandidatëve për t’u tërhequr nga gara, është një guxim i madh i cili të çon direkt në qeli
Tashmë është e qartë se kjo fushatë zgjedhore për zgjedhjet e 11 majit ka dalë nga “shinat” e vizatuara prej Edi Ramës dhe Sali Berishës. Pas çertifikimit në KQZ të kandidatëve të “Koalicionit Euroatlantik”, të cilët garojnë në listë të hapur, si dhe pas shpërthimit të “papritur” të fushatës së tyre të udhëhequr nga drejtuesi politik, Lulzim Basha, skenari i paracaktuar nga, Rama-Berisha, është prishur totalisht.
Mashtrimi politiko-mediatik me realitete që nuk ekzistojnë ka rënë, ndaj duket se po detyrohen të ndërhyjnë me metoda ekstraligjore. Blerja, presioni dhe shantazhimi i votuesve, komisionierëve dhe kandidatëve për deputet, faktikisht ka qenë një normalitet gjatë këtyre 3 dekadave pluralizëm, duke përfshirë edhe zgjedhjet e fundit lokale të 14 majit. Por që kjo të vazhdojë të përsëritet në mënyrë flagrante, (Si po bëjnë Noka&Gjunkshi, etj), edhe në zgjedhjet e 11 majit, ose je kamikaz, ose je budalla që nuk ke informacion dhe nuk kupton se çfarë po ndodh!/Alfapress.al