Gati liberalizimi i vizave për Kosovën

Kosova përfundimisht ka plotësuar të gjitha rekomandimet që Komisioni Evropian i kishte parashtruar në mënyrë që të fitoj liberalizimin e vizave. Kështu ka thënë zyrtarja për informim Mina Andreeva. Madje sipas saj, vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën tashmë është i pashmangshëm. “Vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën tashmë është i  pashmangshëm. Rekomandimet e nevojshme që ka pasur Kosova tashmë janë plotësuar”, ka shtuar ajo. Megjithatë mbetet ende në pikëpyetje nëse Kosova do të jetë pjesë e axhendës së ditës së mërkurë, kur ky Komision pritet që të japë rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave. Sipas Andreevas, axhenda përfundimtare e Komisioni Evropian do të konfirmohet vetëm nesër në mesditë. “Agjenda e kolegjit për të mërkurën do të konfirmohet nesër në mesditë”, ka thënë Andreeva.
Që qytetarët kosovarë të lëvizin pa viza në vendet e bashkimit europian tashmë është një çështje orësh, jo ditësh dhe aq më pak javësh. Kështu ka deklaruar presidenti i  Kosovës Hashim thaci gjatë një takimi me kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, duke argumentuar  në këtë mënyrë.
Thaçi: Angazhimet e Kosovës për anëtarësim në UEFA, por dhe procesi për liberalizimin e vizave, po përkojnë përafërsisht në të njëjtën kohë. Një koincidencë pozitive për vendin tonë. Mund të them se Kosova ka zbatuar të gjitha kriteret e nevojshme, për rekomandimin e vizave nga Brukseli.
Prandaj dua të potencoj që procesi për liberalizimin e vizave për Kosovën, ende nuk është duke i numëruar ditët dhe javët, por është duke i numëruar orët. Dhe ky është një lajm i mirë, është një histori e re për Kosovën. Edhe UEFA edhe liberalizimi i vizave, që njerëzit e Kosovës si gjithë evropianët do të lëvizin lirshëm në krejt Evropën.
Duke e konsideruar një vonesë të panevojshme nga ana e Brukselit, Thaçi tha liberalizimi i vizave është  meritë e jashtëzakonshme e institucioneve të vendit.
Thaçi: Ka qenë një vonesë e panevojshme nga Brukseli, por është meritë e jashtëzakonshme e të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës, institucioneve qendrore, lokale, mediave, shoqërisë civile dhe qytetarëve. Natyrisht mbetet edhe shumë për të bërë në të ardhmen tonë të sigurte evropiane, që është qëllimi ynë, është vizioni ynë.
Lajmi për liberalizimin e vizave për Kosovën është paralajmëruar në nëj farë mënyre edhe nga Ministri për Integrime Evropiane në Qeverinë e Kosovës Bekim Çollaku, i cili përmes një publikimi në rrjetin social Facebook, shkruan se gjatë kësaj jave do të ketë lajme historike për Kosovës dhe zhvillime të reja.

Exit mobile version