Edi Rama po tenton një tjetër megaskandal në energjetikë, e cila jo vetëm do i kushtojë buxhetit të shtetit qindra milionë euro dëm, por rrezikon dhe ta lerë vendin pa energji elektrike në prag sezonit turistik. Skandalin e ka denoncuar ish-Kryeministri Sali Berisha në rrjetin social Facebook, ku shprehet shqetësimi i një qytetari, për metodat mafioze që po përgatiten nga sekretari i Ramës, Engjëll Agaçi, me qëllim kalimin e blerjeve të energjisë nga importi nga OSHEE tek KESH. Në fakt, KESH është prodhues i energjisë elektrike dhe jo importues i saj. Por tashmë që ky insitucion ka ikur nga duart e kryeministrit në bazë të marrëveshjes së 17-18 majit, Rama kërkon ta ketë sërish në varësi të tij blerjen e energjisë dhe qindra milionë eurot që dalin nga buxheti për këtë qëllim. Blerjen mesa duket e ka imponuar situata elektroenergjetike në hidrocentralin e Fierzës, që është dhe ujëmbledhësi më i madh që furnizon dhe dhe tri hidrocentrale të tjera, atë të Komanit, Vaut të Dejës dhe hidrocentralin e Bushatit. Deri më tani, askush nuk ka folur për këtë çështje, e cila rrezikon t’i lerë qytetarët pa drita në zhegun përvëlues të verës.
Mesazhi
Në mesazhin e tij, ish-Kryeministri Berisha shkruan se jemi përpara një megaskandali dhe i bën thirrje Prokurorisë të hetojë në lidhje me këtë çështje. KESH është prodhues i energjisë dhe jo importues i saj. Një veprim i tillë vetëm se do të shtonte borxhin ndaj kësaj kompanie, që edhe tashmë është tepër i lartë. OSHEE është institucioni përgjegjës që bën rakordimin mes blerjes nga importi, ai vendas dhe shitjes tek konsumatori. Ja çfarë shkruan ish-Kryeministri: “Sekretari i Përgjthshëm i mafies së Kryeministrisë, famozi Agaçi përgatit vendimin për vjedhjen e madhe të radhës në blerjen e energjisë! Zyrtari dixhital denoncon: Agaçin e Kryeministrisë, i cili në kundërshtim flagrant me ligjet ka përgatitur vendimin për blerjen e energjisë, jo nga OSHEE siç përcakton ligji, por meqenëse Ardian Çela nuk është më në drejtim të OSHEE, vendimi përzgjedh KESH për të blerë energjinë, pasi me drejtorinë e këtij të fundit ndahen pa vështirësi dhjetëra milionë euro në dëm të qytetarëve shqiptarë. I bëj thirrje Prokurorisë së Shtetit të godasë me forcën më të madhe të ligjit këtë megakorrupsion të sekretarit të Përgjithshëm të mafies shtetërore, Agaçi dhe narkodrejtorit të Përgjithshëm të KESH. Lexoni më poshtë mesazhin e zyrtarit dixhital! ‘Doktor, këtë verë do të jemi pa drita sepse hidrocentrali i Fierzës është zbrazur pa filluar behari akoma. Po fillon të duket Kukësi i vjetër. Me një akt banditesk dhe antiligjor, nën orkestrimin e megahajdutit Agaçi dhe drejtorit të KESH kanë përgatitur farsën e radhës. Kërkojnë t’i japin të drejtë drejtorit të KESH të vjedhë me tender për llogari të megahajdutit, duke blerë energji me pretekst se është përkeqësuar niveli i kaskadës së Fierzës.
Ndërkohë që detyrimin për të blerë energji nga importi për të përballuar humbjet dhe për të siguruar me furnizim të pandërprerë i ka OSHEE. Kjo manovër do të ketë humbje të madhe të dyfishtë nga njëra anë KESH pavarësisht çmimit të blerjes, është i detyruar t’i shesë OSHEE me çmim tavan ~3 lekë/KWh (për shembull, e blen me 20 lekë/KWh dhe është me 3 lekë/KWh) dhe nga ana tjetër OSHEE detyrohet të blejë sërish nga importi për të përballuar humbjet”, shkruhet në mesazhin e publikuar nga Berisha.
Milionat e eurove
Gjithçka është e qartë. Për të mbuluar nevojat e vendit me energji importi Shqipërisë i duhen rreth 300 milionë dollarë në vit, ku nga këto 60 për qind shpenzohen për periudhën e dimrit dhe 40 për qindëshi tjetër periudhën e verës, kur kaskadat tona kanë prurje të ulëta. Gjendja në kaskadën e dimrit jo më kot është mbajtur e fshehur (jemi akoma në muajin qershor dhe përpara priten dy muaj të tjerë akoma më të thatë), me qëllim që energjia të blihet në treg të parregulluar. Blerja në treg të parregulluar do të thotë blerje jashtë një kontrate të paracaktuar që le mundësi të shumta abuzimi. Kjo është dhe arsyeja se përse Rama kërkon që energjinë verore ta blejë KESH dhe jo OSHEE. Natyrisht bëhet fjalë për rreth 120 milionë dollarë që mendohet të shpenzohen dhe këto para, duhet me patjetër të kalojnë nga të besuarit e Ramës. Deri më sot në krye të këtij institucioni ishte Ardian Çela, i cili nuk ka bërë asnjëherë transparencë në lidhje me tenderat apo blerjet që bënte në institucionin e tij. OSHEE mendohet të jetë një nga gropat më të mëdha të buxhetit, e cila megjithëse ka marrë miliarda lekë nga shqiptarët s’ka bërë asnjë investim, por vetëm ka ushqyer piramidën e pushtetit dhe klientët e saj.
KLSH: OSHEE po rrjep qytetarët, por refuzon të shlyejë borxhet
Në raportin e tij për vitin 2016, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar se kompanitë publike OSHEE, KESH dhe OST kanë korrur fitime të rëndësishme, por kanë refuzuar të shlyejnë borxhet. Raporti i KLSH-së evidenton si kompaninë më problematike OSHEE-në. Sipas KLSH-së, këto tre operatorë duhet të hartojnë një program të saktë për shlyerjen e borxheve sipas afateve të përcaktuara në marrëveshjen e ratifikimit të huasë. Ministria e Energjetikës ka publikuar raportet për fitimet e kompanive publike të energjisë, ku sipas të dhënave tre kompanitë publike, OSHEE, KESH dhe OST në total kanë një fitim rreth 14,2 miliardë lekë ose 104 milionë euro. Ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri, ishte shprehur se hapat që janë ndërmarrë kanë krijuar një efekt pozitiv në financat publike. Nga ana tjetër, borxhet e ndërsjellta të operatorëve publikë janë në nivele tepër të larta. Borxhet e të tretëve ndaj OSHEE-së janë ulur, por mbeten të larta. Në bazë të marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim, detyrimi i mbetur i OSHEE ndaj CEZ AS, deri më datë 20 shtator 2016, është 5.8 mld lekë, konstaton KLSH. Sipas përcaktimit në Ligjin nr. 170/2014, “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë”, KLSH ka vërejtur se nuk ka një studim të saktë, mbi prognozën e ecurisë së shlyerjes së detyrimeve të ndërsjella, veçanërisht në skedulin e pagesave dhe objektivave të vendosura ndaj OSHEE. Gjithashtu OSHEE, OST dhe KESH, të hartojnë një program të saktë për pagesat e detyrimeve të ndërsjella, sipas afateve të caktuara në projektin e rimëkëmbjes”, shkruhet në raportin e KLSH. Megjithëse Shqipëria për herë të parë më 2016 ishte një eksportuese neto e energjisë, ka patur një rënie të konsumit të energjisë në vend. Konsumi i energjisë është ulur me 2.3% më 2016-ën. Të dhënat krahasuese, shkruan “Monitor” tregojnë, se është ulur konsumi nga konsumatorët e mëdhenj që janë biznese, konsumi i të cilave ra me 17% më 2017. OSHEE-ja më herët këtë çështje e ka raportuar si një tendencë e konsumatorëve, të cilët nuk shpërdorojnë energjinë elektrike, për shkak të shtrëngimit të politikave dhe grumbullimit të faturave. Por të dhënat e vitit të fundit tregojnë, se rënia erdhi nga konsumatorët e mëdhenj të energjisë.