Gati ndaj Turqisë!

Skuadra kombëtare hyn në ritëm të plotë stërvitor në kuadër të ndeshjes miqësore të 13 nëntorit me Turqinë në Antalya. Ekipi kuqezi me disa prurje të reja në listën e Panuccit është akomoduar në një resort turistik, ku zhvillon dy seanca stërvitore në ditë. Trajneri është fokusuar në punën me repartet e ndara, pasi mbrojtja ka punuar e veçuar, po ashtu edhe mesfusha e sulmi.
Këto ditë i shërbejnë Panuccit për të njohur sa më shumë skuadrën që ndryshe nga ndeshjet zyrtare, do të testojë disa emra të rinj si Kamer Qaka, apo futbollisti tjetër Astrit Ajdareviç. Një vëmendje të veçantë, Panucci i ka kushtuar edhe aspektit fizik, pasi 90 minutëshi ndaj Turqisë kërkon energji të mëdha fizike dhe një pjesë e madhe e lojtarëve vijnë me minuta të shumta në këmbë. Seancat stërvitore zhvillohen paradite dhe pasdite, pranë kompleksit ku është akomoduar kombëtarja.
Ekipi kuqezi kishte një program të veçantë për mbrojtjen dhe më pas u vijua me grupin tjetër, atë të pjesës ofensive, të mesfushës dhe sulmit. Me kombëtaren, që nga dita e djeshme në stërvitje ka dalë edhe futbollisti i sapogrumbulluar, Kamer Qaka, së bashku me futbollistin tjetër, Astrit Ajdareviç. Pas aspektit taktik, ekipi kaloi në disa ushtrime fizike.
Trajneri italian e nisi aventurën e tij në stolin e Kombëtares Shqiptare pa mundur të bëjë një test të mirëfilltë. Një angazhim në fundin e fushatës kualifikuese për Botërorin rus, ku Panuccit i duhej të përballej me 4 takime zyrtare rradhazi, konkretisht sfidat me Lihtensteinin, Maqedoninë, Spanjën dhe Italinë. Edhe pse shanset për kualifikim ishin sfumuar, një ndeshje zyrtare që vë në plan të parë padyshim rezultatin, sidomos kur bëhet fjalë për fqinjët ballkanas, me të cilët diskutonim vendin e tretë në grup, apo më tepër përballë kolosëve si Italia e Spanja.
Trajneri ka bërë lëvizjet e tij në këto ndeshje, por, gjithsesi, duke qenë i kufizuar në masën e eksperimentit. Kundër Turqisë, 44-vjeçari do të ketë shansin për të guxuar pa dyshim më tepër, pasi bëhet fjalë për një miqësore të siguruar pikërisht për këtë qëllim. Tekniku, në bilancin e 4 ndeshjeve të tij të para në drejtimin e kuqezinjve, shfaqi hapur synimin për një Shqipëri më sulmuese dhe më guximtare në fushën e lojës, prirje që e ka shfaqur edhe në takimet e fundit.
Tani, kundër Turqisë mund të nisë zyrtarisht projektin e misionit për t’u kualifikuar në Europianin e vitit 2020. Gjak i ri, por edhe ide të reja në kombëtare, aty ku janë afruar së fundmi dhe Kamer Qaka, Ylber Ramadani apo Astrit Ajdareviç, me trajnerin që ka mundësi ta përgatisë sfidën me Turqinë në qetësi të plotë në Antalia. Përballë kombëtares së drejtuar nga një “ujk” i vjetër i stolave si Mircea Lucescu, Panuci më në fund mund të nisë të ndërtojë pa presionin e rezultatit Shqipërinë e tij.

Exit mobile version