Gati programi i PD, oferta për punësim, zhvillim ekonomik, ulje taksash e antikorrupsion

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mblodhi mbrëmjen e djeshme departamentet e PD, në një takim ku u konkludua mbi platformat në çdo sektor, që përbëjnë programin dhe ofertën për shqiptarët, për zhvillimin ekonomik, daljen nga varfëria, uljen e taksave, luftën ndaj korrupsionit, nxitjen e punësimit, zhvillimin e degëve më të rëndësishme dhe përmirësimin e arritjen e standardeve në fushën e shëndetësisë, rendit dhe sigurisë.
Programi i Partisë Demokratike është gati dhe në javët në vazhdim ai do të publikohet. 23 departamentet kanë finalizuar kështu punën disa mujore. Pas mbledhjes, nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, dha një prononcim për mediat.
“Siç ju njoftuam, patëm një mbledhje me drejtuesit e të gjithë departamenteve të Partisë Demokratike në lidhje me finalizimin e hartimit të programit elektoral të Partisë Demokratike. Tashmë mund të themi që pas një pune disa mujore dhe diskutimeve brenda grupeve që ishin ngritur për këtë qëllim dhe diskutimeve me ekspertë të fushës, programi i Partisë Demokratike për zgjedhjet e ardhshme parlamentare është i përfunduar në linjat kryesore.
Objektivat e tij do të jenë që të nxisë ekonominë e vendit në mënyrë që të gjenerojmë vende pune, të mund t’i jepet një impuls sa më i madh ekonomisë me synimin e tërheqjes së investimeve të huaja, uljen e taksave, krijimin e hapësirave sa më të mëdha për punësim dhe zhvillimin e degëve të tilla të rëndësishme si bujqësia, turizmi, mjedisi. Programi synon reduktimin e varfërisë, rritjen e pagave dhe pensioneve, në mënyrë që vendi të futet në rrugën e zhvillimit dhe rritjes së mirëqënies për të gjithë qytetarët shqiptarë. Në javët e ardhshme ne do të vazhdojmë me fazën e dytë për prezantimin e të gjithë pjesëve të programit, tek grupet e interesit, tek qytetarët, për të marrë ide dhe sugjerime të tjera finale, të cilat do të bëjnë të mundur paraqitjen e një varianti përfundimtar për zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, tha Spaho.

Exit mobile version