Bashkia Kamëz ka gati projektet për ndërtimin e 3 kopshteve të reja në territorin e saj, si dhe për ndërhyrjen me rikonstruksion të disa të tjerave. Për financimin e tyre është kërkuar mbështetja e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, si dhe ministrive të tjera. Kjo, pasi fondet për të realizuar këto investime janë të papërballueshme nga Bashkia. Në një shkresë drejtuar ministres së Arsimit dhe Sportit, znj. Lindita Nikolla, Bashkia Kamëz kërkon financimin e investimeve të parashikuara për objektet e arsimit parashkollor, në mënyrë që t’u krijohen kushte optimale dhe cilësore për një proces mësimor-edukativ fëmijëve të qytetit të Kamzës.
Referuar reformës administrative-territoriale dhe vendimit të Këshillit të Ministrave për transfertat specifike dhe financimin e funksioneve të reja për vitin kalendarik 2016, në varësi të pushtetit vendor kalojnë të gjitha kopshtet, çerdhet dhe konviktet. Për të parë gjendjen reale të objekteve arsimore, në Bashkinë Kamëz është ngritur edhe një grup pune i posaçëm për planifikimin e objekteve ekzistuese të kopshteve dhe shkollave për rikonstruksion, si dhe për hartimin e projekteve për ndërtimin e kopshteve dhe shkollave të reja.
Nga grupi i punës është konstatuar se është domosdoshmëri ndërhyrja për ngritjen e infrastrukturës së nevojshme për arsimin parashkollor, si dhe rikonstruksionin e disa objekteve ekzistuese. Konkretisht, në Paskuqan nevojitet të ndërtohen dy kopshte të reja, pasi fëmijët e kopshteve “Tahir Sinani” dhe “Vëllazërimi” momentalisht zhvillojnë procesin mësimor-edukativ në objekte private të papërshtatshme, të marra me qira nga Njësia Administrative Paskuqan. Po ashtu, nevojë emergjente për komunitetin është edhe ndërtimi i një kopshti të ri në Bulçesh, pranë shkollës “Ibrahim Basha”, pasi kushtet e kopshtit aktual në mjediset e shkollës janë të mjerueshme, ku dy grupe nxënësish zhvillojnë procesin mësimor-edukativ në një klasë.
Gjithashtu, e domosdoshme është edhe një shtesë kati dhe rikonstruksion për kopshtin në Kamëz-Qendër, pasi mjediset e tij janë të papërshtatshme për të përballuar numrin e fëmijëve që frekuentojnë këtë kopsht. Edhe në zonën e Valiasit dhe Valiasit të Vjetër është e nevojshme të rikonstruktohen kopshtet “Niko Hoxha” dhe “Nënë Tereza”. Këto ndërhyrje në arsimin parashkollor janë emergjente, për shkak të nevojës së përmirësimit të kushteve të ambienteve para-shkollore në këto zona. Bashkia i ka gati të gjitha projektet, si dhe ofron bashkëpunim edhe për garantimin e trojeve për të ndërtuar kopshtet e reja.
Për t’u theksuar është fakti se Bashkia Kamëz ka një mungesë totale të fondeve të akorduara nga ana e qeverisë për investime në institucione arsimore, por edhe në fusha të tjera po kaq të rëndësishme dhe jetike për qytetarët e Kamzës dhe të Paskuqanit.