Zlatan Ibrahimoviç dhe Paul Pogba janë gati të rikthehen në fushë dhe të japin kontributin e tyre për skuadrën e Manchester United-it. Sulmuesi suedez dhe mesfushori francez, vijnë nga dëmtime të gjata dhe ditët e fundit i janë bashkuar grupit dhe kanë kryer të plotë ciklin stërvitor.
Mediat angleze raportojnë se Mourinho po merr në konsideratë që të ulë në stol dy yjet e skuadrës, që në sfidën e të shtunës përballë Newcastle-it, ndonëse duket e vështirë që të kenë minuta në dispozicion.
Plani i trajnerit portugez është aktivizimi gradual i tyre, për të mos rrezikuar dëmtim tjetër dhe për t’i pasur plotësisht të gatshëm në ditët e para të dhjetorit. Manchester United është duke zhvilluar një sezon mjaft të mirë, si në Champions, ashtu edhe në Premier League, ndërsa rikthimi i Pogbasë dhe Ibrës, do të jetë një vlerë e shtuar për skuadrën.