Gati shkarkimi i Lopetegui, Perez zgjedh trajnerin e ri

MADRID 14 06 2018 DEPORTES Presentacion del entrenador del Real Madrid Julen Lopetegui FOTO JOSE LUIS ROCA

Sinjalet janë dhënë, që Real Madridi vuan, është krejtësisht ndryshe, pas largimit të Cristiano Ronaldo. Rezultatet janë ato që janë, të tilla sa për ta vënë në gijotinë trajnerin Julen Lopetegui. Ky i fundit duhet të zgjidhë problemin e shënimit të golave ​​(vetëm një gol në pesë ndeshjet e fundit) dhe të rezultateve, mjaft negative, siç nuk kishte ndodhur që nga kohërat e vjetra.
Julen Lopetegui mbërriti “me nxitim” për të zëvendësuar Zinedine Zidane, gjithashtu duke shkaktuar një incident diplomatik me kombëtaren spanjolle. Por, ish-trajneri i “La Roja” duket se i ka humbur “frerët” e një ekipi me cilësi të mëdha, që nga ndeshja në ndeshje demonstron se e ndien shumë largimin e pesë herë fituesit të “Topit të Artë”.
Durimi i presidentit Florentino Perez duket se ka sosur, ai i ka dhënë kohë trajnerit të vet të reagojë. “El Clasico” me Barcelonën do të jetë shansi i fundit për Lopetegui. Sidoqoftë, kreu i “Los Blancos” është duke menduar për një zëvendësues, që të mos zihet në befasi.
Emri që lakohet më shumë nga mediat italiane është ai i Antonio Contes.

Ky i fundit është pa punë, pasi ka lënë prapa krahëve një divorc mjaft kompleks me Chelsea, klub i cili në fund vendosi të përqëndrohet te Maurizio Sarri.
Siç është shpallur nga “Corriere dello Sport”, ish-trajneri i Italisë është kontaktuar me telefon të hënën nga kryeqyteti spanjoll. Situata ka ndryshuar nga disa muaj më parë, kur Conte nuk mund të thoshte “po”. Tani, trajneri italian do të pranojë, duke ofruar gatishmërinë e tij për t’u ulur në stolin e një prej klubeve më prestigjioze në historinë e futbollit.
Sigurisht, një sy i mprehtë shkon te ndeshjet e ardhshme, vendimtare për të ardhmen e Lopetegui: ajo në shtëpi me Levante, udhëtimi në Plzen, për të luajtur me Viktoria dhe, mbi të gjitha, “El Clasico” në Barcelonë. Ky kalendar ndeshjesh do të vendosë, me çdo probabilitet, fatin e ish-trajnerit të Spanjës në “Santiago Bernabeu”.
Në rastin e dështimeve të tjera, largimi i Lopetegui do të ishte zgjidhja më e mirë dhe e nevojshme, e cila do t’i hapte rrugën rikthimit të Antonio Conte në trajning.

Exit mobile version