Gati të ringrihemi

“Është moment shumë i vështirë sidomos pas 5 humbjeve. Nuk e kemi pritur as ne, por mundohemi të japim maksimumin”. Fjalia e parë e Burim Kukelit në konferencën për shtyp nga Turqia pasqyron situatën delikate që po kalon kombëtarja shqiptare pas humbjes në miqësoren e Luksemburgut. Mesfushori kuqezi e pranon se skuadra nuk arrin të reagojë, por ai shikon nga e ardhmja dhe ndalet te ndeshja zyrtare me Izraelin duke shpresuar te një fitore. “Jemi gati, mendoj se tani në lojë me Izraelin i vetmi shans është fitorja që t’i afrohemi vendit të tretë. Shpresoj që të jemi të gjithë gati për të marrë fitore”, u shpreh Kukeli.
Kukeli nuk e pranon se pas Europianit skuadra nuk arrin të gjejë motivim. Sipas tij, skuadra duhet të fokusohet te objektivat për të ecur përpara. “Nuk jemi të ngopur edhe pse arritja në Europian ishte një sukses shumë i madh. Çdo lojtar duhet të japë maksimumin për kombëtaren, por tashmë misioni bëhet i vështirë dhe duhet të arrijmë vendin e tretë sepse për ne vlen shumë. Në futboll gjithçka është e mundur dhe këtë e kemi treguar me fitoren në Portugali. Do të mundohemi të bëjmë një hap përpara dhe nëse fitojmë në Izrael do të jemi në rrugën e duhur”, tha ai.
Në kombëtare, Kukeli është aktivizuar shpeshherë edhe në qendër të mbrojtjes, por ai thekson se ky nuk është një problem për të. “Edhe në Europian kam luajtur qendërmbrojtës. Është një pozicion që di ta bëj sepse nuk ka shumë ndryshim me pozicionin tim. Është interesante për mua sepse asnjëherë nuk është vonë të mësosh gjëra. Mendoj se nuk duhet të mendojmë shumë për skemën se si luan kundërshtari, por te vetja jonë dhe të japim maksimumin”, tha Kukeli.
Në fund, Kukeli jep një mesazh edhe për të gjithë shokët e skuadrës, duke theksuar se ajo disfatë në Luksemburg duhet të shërbejë për të korrigjuar gabimet e bëra. “Me Luksemburgun jemi mërzitur shumë, por duhet të mësojmë nga gabimet e bëra”, përfundoi Kukeli.
Humbja me Luksemburgun ishte ndoshta më e rënda për De Biasin në krye të Shqipërisë. Pas vërshëllimës së fundit të gjyqtarit trajneri i kuqezinjve qëndroi për rreth 10 minuta pa lëvizur në stol, duke medituar atë që ndodhi ndaj një kundërshtari shumë më të dobët në cilësi. Më pas u mbyll në dhomë, ku bisedoi gjatë me bashkëpunëtorët e tij më të afërt. “Një humbje që rëndon shumë sepse erdhi ndaj një skuadre që është më e dobët se ne, por që luajti me më shumë dëshirë. Pas Europianit skuadra jonë nuk ka gjetur dëshirën dhe vendosmërinë për ta arritur objektivin”, u shpreh De Biasi.

Artikulli paraprakHasi tek Olimpiakosi, mediat greke kundër
Artikulli tjetërKolasinaç zyrtarisht futbollit i Arsenalit