Na ishte dikur një “tredhëmbësh” që bashkonte klasin, forcën fizike, zgjuarsinë dhe intuitën e golit. Ai formohej nga Del Piero, Viali dhe Ravaneli. Me këto tre personazhe, trajneri i asokohe, Marçelo Lipi, shkroi një nga përrallat më të bukura në historinë e Juventusit, duke e çuar “Zonjën e Vjetër” në majën e botës.
Çfarë ka mbetur sot nga ky tregim i bukur? Vetëm një vizatim në letër që mund të kopjohet nga trajneri aktual. Masimiliano Alegri do të ketë më në fund në dispozicion Paulo Dibalën, i cili është gati të luajë sfidën e radhës në Ligën e Kampioneve kundër Dinamos së Zagrebit. Mirëpo, lind pyetja se kush do t’i bëjë vend në sulm argjentinasit? Higuain ka kushtuar shumë për të qëndruar në stol, edhe pse në periudhën e fundit nuk ka gjetur dot rrugën e rrjetës, ndërsa Mario Manxukiç, me rendimentin që ka treguar deri më tani, nuk e meriton stolin.
Lidhur me këtë çështje, trajneri i kampionëve të Italisë, Masimiliano Alegri, në përfundim të ndeshjes kundër Atalantës, la të hapur mundësinë që bardhezinjtë të rreshtojnë tredhëmbëshin: “Gjithçka varet nga shpirti i sakrificës dhe rreshtimi i mesfushës, por ideja për të aktivizuar në sulm Manxukiçin, Higuainin dhe Dibalën, më intrigon, pasi do të ishin shkatërrimtarë përpara”.
Në sezonin që tifozët bardhezi i bashkon ëndrra “Champions”, Alegri mund të provojë të imitojë Lipin, që aktivizoi në finalen kundër Ajaksit, Vialin, Ravanelin dhe Del Pieron, protagonistët që sollën Champions-in e fundit në Torino. Ky eksperiment mund të kthehet në aktualitet me aktivizimin e Dibalës, Higuainit dhe Manxukiçit, duke filluar që nga sfida e radhës kundër Dinamos së Zagrebit. Nëse përballë kroatëve do të funksionojë si eksperiment, ideja e “tredhëmbëshit” pritet të materializohet gjatë sezonit.
Juventusi nuk arrin t’i shmangë kritikat edhe atëherë kur fiton. Edhe pse bardhezinjtë dominuam me një fitore të thellë 3-1 ndaj Atalantës, sërish gjenden mangësi tek skuadra e Alegrit. Ajo që shqetëson më shumë është mungesa e golit për Higuain, që në 8 sfidat e fundit e ka dërguar vetëm një herë topin në rrjetë. Në krah të argjentinasit del trajneri Alegri, për të cilin më e rëndësishme është që skuadra të fitojë.
“Higuain nuk po shënon? Nuk është problem. Ai është mësuar të realizojë në çdo takim, por tek Juventusi e gjejnë golin edhe futbollistët e tjerë. Zhvilloi një ndeshje të mirë dhe ka patur disa raste. Jam i bindur se do të shënojë në ndeshjet në vazhdim. Gonzalo duhet të ruajë qetësinë, pavarësisht se ka realizuar vetëm një gol në 8 ndeshjet e fundit”, u shpreh Alegri.
Por 49-vjeçari nuk ndalet me kaq. Ai ka argumentet e tij për të hedhur poshtë kritikat ndaj “El Pipitas”. “Te Juvja çdo tri ditë e gjejnë një problem. Në fillim thoshin se po luanim keq, ndërsa humbjen me Genoan e konsideruan si një tragjedi. Ne heshtëm, sepse humbëm, ndonëse ishim të parët në klasifikimin e përgjithshëm në kampionat dhe në Champions. Tani na del dhe çështja ‘Higuain’. Në sezonet e fundit ka mundur të shpallet golashënuesi më i mirë, por nuk e ka fituar kampionatin. Pra, më mirë le të mos shënojë si më parë, por ne ta fitojmë sërish titullin. Për paraqitjet e futbollistëve flasim më mirë rezultatet. Gjithsesi kritikat na bëjnë mirë, sepse na nxisin të punojmë më shumë”, tha trajneri i Juventusit.