Gaza në krizë të thellë humanitare, OBSH: Dy milionë njerëz po vuajnë nga uria! Tonelata ushqimesh qëndrojnë të bllokuara në kufi nga Izraeli

Rripi i Gazës ndodhet në një krizë të thellë humanitare, ndërsa drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka paralajmëruar për rrezikun në rritje të një urie masive. Sipas tij, dy milionë njerëz po vuajnë nga uria.

 

“Rreziku i urisë në Gaza po përkeqësohet për shkak të ndalimit të qëllimshëm të ndihmës humanitare, përfshirë ushqimet, si pjesë e një bllokade që vazhdon ende,” deklaroi Ghebreyesus gjatë hapjes së Asamblesë Vjetore të Shteteve Anëtare të OBSH-së në Gjenevë.

Ai shtoi se “dy milionë njerëz po vuajnë nga uria, ndërkohë që tonelata ushqimesh qëndrojnë të bllokuara vetëm disa minuta larg, në kufi”.

Pas presionit të madh ndërkombëtar mbi bllokimin e ndihmës humanitare, Izraeli njoftoi dje se do të lejojë rifillimin e kufizuar të saj, ndërkohë që ka nisur edhe operacione tokësore në shkallë të gjerë në Gaza.

Vendimi për të lejuar hyrjen e ndihmës në territorin palestinez, mbi dy muaj pas vendosjes së bllokadës më 2 mars, është konsideruar nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu si një hap i vështirë, por i domosdoshëm.

Sipas kreut të OBSH-së, përshkallëzimi i dhunës, urdhrat për evakuim, reduktimi i hapësirës humanitare dhe bllokimi i ndihmës po e çojnë sistemin shëndetësor në kolaps.

“Njerëzit po vdesin nga sëmundje që mund të parandalohen, ndërkohë që ilaçet qëndrojnë të bllokuara në kufi. Sulmet ndaj spitaleve po i privojnë njerëzit nga kujdesi shëndetësor dhe i trembin të kërkojnë ndihmë,” shtoi ai.

Mijëra pacientë në Gaza kanë nevojë të evakuohen për arsye mjekësore, theksoi Ghebreyesus, duke i bërë thirrje shteteve anëtare të pranojnë më shumë të sëmurë për trajtim.

Ai i kërkoi gjithashtu Izraelit të lejojë evakuimin e pacientëve dhe futjen e ushqimeve e barnave në Rripin e Gazës.

Organizatat ndërkombëtare të ndihmës dhe Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar prej javësh për mungesa të rënda në ushqime, ilaçe dhe furnizime bazë në këtë zonë të rrethuar.

Artikulli paraprakTrajneri i Leçes: Jam zënë shpesh me Ramadanin, është lojtar me temperament të fortë
Artikulli tjetërShtetet “kampion” për punë nga shtëpia, ja vendi që kryeson dhe kush kategori e preferon më shumë