“Tageszeitung”
Shqipëria tashmë është plotësisht një shfaqje me një person të vetëm. Edi Rama ia ka dalë në dy mandatet e tij të mbushë postet dhe listat e kandidatëve me ndjekës besnikë, dhe e ka lënë vendin të zhytet gjithmonë e më shumë në një kënetë të korrupsionit dhe keqmenaxhimit. Edhe opozita, pavarësisht një aleance të gjerë me parti të ndryshme, nuk ishte një alternativë dhe nuk ia doli që të siguronte një mazhorancë për të parandaluar Ramën që të marrë një mandat të tretë. Tani ai mund të vazhdojë të sundojë.
Ka shumë arsye për këtë: një reformë zgjedhore problematike, gabime strategjike në të shkuarën nga partia më e madhe e opozitës, Partia Demokratike, e cila bojkotoi parlamentin dhe zgjedhjet lokale, dhe pamundësia e diasporës shqiptare për të votuar. Në Kosovë për shembull, diaspora bëri fushatë të madhe për një ndryshim në udhëheqje: atje sot drejton reformatori Albin Kurti.
Katër vite të tjera për Edi Ramën janë një perspektivë e zymtë, veçanërisht për të rinjtë, për shkak se ai është i interesuar kryesisht për pushtetin dhe projektet e shtrenjta infrastrukturore, jo për të ardhmen e gjeneratës së re. Gjenerata e re po e braktis vendin në shifra të mëdha: vetëm në vitin 2019, 360 mijë njerëz u larguan, thuajse 13 përqind e popullsisë.
Për ta, problemet më të ngutshme janë papunësia e lartë dhe mundësitë e dobëta për arsimim. Kur Rama nuk ndryshoi gjë as pas protestave madhore të studentëve në vitin 2018 në universitete, ai tregoi qartë se cilat janë prioritetet e tij. Po ashtu ai lufton ashpër kundër formimit të negociatave.
Rezultati i zgjedhjeve e bën po ashtu pranimin në BE shumë të largët. Drita jeshile për bisedimet e pranimit tashmë është hapur- nëse Shqipëria përmbush kushtet. Njëra prej tyre ishte reforma zgjedhore, e cila u shtrembërua nga Rama në favor të tij. “BE” prej kohësh është një fjalë e zbrazët për Ramën.
Por një dritë shprese mbetet. Opozita do të heqë dorë nga bojkoti i tyre në parlament. Atëherë mbase shfaqja me një njeri do të marrë fund.