Megaskandali që fshin Ramën, Basha: Genocid

Kryetari i opozitës ka paralajmëruar se një investigim i mediave amerikane do të provojë gjatë ditëve të ardhshme se 32 mijë tonelatat e plehrave janë groposur në Shqipëri. Ai deklaroi dje nga sheshi i protestës se në rast se kjo do të jetë e vërtetë atëherë ai do t’i bëjë thirrje popullit të reagojë ndaj një gjenocidi që po ushtrohet ndaj tyre prej kreut të qeverisë.
“Kam qenë i kujdesshëm këto dy javë të shpërthimit të skandalit, për të mos arritur në konkluzione të parakohshme. Kjo javë do të jetë përcaktuese për transparencën e këtij megaskandali. Në qoftë se është e vërtetë, kjo nuk është asgjë më pak se gjenocid ndaj shqiptarëve. Të sjellësh mbetjet e rrezikshme kundër ligjit, ta mbash të fshehtë, t’i depozitosh në tokën e qytetarëve të tu, pa u marrë asnjë autorizim apo leje, në kundërshtim total me ligjin, kjo do të thotë të jesh bashkëpunëtor për gjenocid kundër popullit tënd dhe në qoftë se kjo është e vërtetë, Edi Rama, unë do t’i bëj thirrje popullit të të trajtojë siç trajtohen ata që bëjnë gjenocid kundër qytetarëve të vet”, tha Basha.
Kreu i opozitës tha se lajmin për depozitimin e plehrave në Shqipëri e kishte marrë nga disa gazetarë amerikanë me të cilët kishte biseduar të dielën në mbrëmje. “Mbrëmë, natën vonë, miq gazetarë nga SHBA, kanë njoftuar se janë shumë pranë zbulimit të dimensionit të vërtetë të skandalit të plehrave, që mafia ndërkombëtare ka depozituar në Shqipëri. Bravo për gazetarët. Nëse këto fakte, shpalosen, ashtu siç jam njoftuar, atëherë ai që qëndron prapa kësaj fasade në zyrën e tij do të duhet të zbresë e t’u shpjegojë shqiptarëve se pse i hapi dyert mijërave tonë mbetjeve të rrezikshme që sot mund të gjenden në truallin tonë, pranë burimeve tona ujore, e mund të kenë filluar që tani të helmojnë, tokën, bukën, ujin dhe ajrin e shqiptarëve dhe fëmijëve tanë”, tha Basha.
Basha i ka bërë thirrje Ramës të bëjë transparencë të plotë për këtë helmim masiv të shqiptarëve përmes plehrave dhe të mos fshihet pas lëvizjeve në qeveri. “Nuk mjaftoi që i drogoi shqiptarët, tani po i helmon shqiptarët. Ju e dini. Ndaj, sa nuk është vonë, mos u fshih pas dorëheqjeve dhe shkarkimeve fasadë të shërbëtorëve të tu. Sa nuk është vonë, bëj transparencën e plotë për këtë megaaferë skandaloze dhe të tmerrshme të plehrave, sqaroji gjërat sot, sepse nesër do të jetë vonë”, tha Basha.
Kreu i opozitës deklaroi se opozita nuk do të tërhiqet nga protestat sepse kauza e zgjedhjeve të lira është jetike për demokracinë. “Ndërkohë, ne jemi e do të jemi këtu të bashkuar, më të vendosur, më të shumtë në numër, çdo ditë, sepse kauza e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, nuk mund të dështojë, nuk mund të tërhiqet. Demokracia nuk mund e nuk do të largohet nga ky vend. Ajo që do të largohet nga ky vend, është oligarkia e lidhur me krimin dhe pushtetin që e solli në zyrat e shtetit.
Media ka një rol të jashtëzakonshëm për t’i dhënë shqiptarëve transparencën dhe informacionin e plotë.
Sot në këtë muzg të Republikës së vjetër dhe në këtë agim të Republikës së re, thirrja ime ndaj pronarëve të medias është, të shqyrtojnë përgjegjësitë e tyre si përfaqësues të pushtetit të katërt.
Dy rrugë ka, ne e dimë që gazetarët, operatorët, punonjësit e medias janë me interesin publik, janë me popullin e tyre, me qytetarët e tyre, ndërsa pronarët e medias sot kanë mundësinë, pavarësisht se çfarë kanë bërë deri më sot, të tregojnë qartë se a do të rreshtohen në anën e Republikës së vjetër të elitës kriminale, politike dhe ekonomike, që i ka pirë gjakun shqiptarëve në këto katër vite dhe sot po i drogon dhe po i helmon apo do të rreshtohen në interesin publik, në krahun e Republikës së re dhe shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë?”, tha Basha.

Artikulli paraprakHetimet, një histori mafioze me plehrat
Artikulli tjetërIsh-zv.ministri i Ramës i bashkohet protestës