Gazetarët kanë protestuar para Bashkisë së Tiranës kundër censurës mediatike.
Protesta erdhi pas mbylljes së emisionit investigativ “Publicus” në “Vizion Plus” që po hetonte për vdekjen e 17-vjeçarit Ardit Gjoklajt në Sharrë.
Emisioni u mbyll me anë të “ndërhyrjes” së kryebashkiakut Veliaj.
Po ky i fundit ishte shkaktar edhe për shkarkimin e gazetares Alida Tota si drejtoreshë e “A1News”, që po hetonte pikërisht vdekjen e Arditit.
Sot Erion Veliaj duhet të japë përgjigje për vdekjen e 17-vjeçarit, ai duhet të japë llogari për institucionin që drejton. Unë kam besuar që Erion Veliaj do jetë një model, por ai u tregua më maskara se maskarenjtë. Turp të të vijë”, ka thënë Bledian Koka, gazetar i News 24. Në tubim folën edhe Armir Shkurti, Alida Tota dhe gazetarë të tjerë. Protesta e gazetarëve kundër censurës nuk u transmetua live nga televizionet kryesore informativë, por as nuk u pasqyrua në përgjithësi në faqet on-line të mediave më të rëndësishme.
Asnjë fjalë nga Top Channel, Tv Klan, Balkanweb, Ora News, ABC News e kështu me radhë. Për të mos folur për Vizion Plusin që shkruante për çelësin e qytetit të Goteborgut që i kishin dhënë Erion Veliajt në Suedi. Ndonëse nuk ka pasqyruar protestën, BalkanWeb ka pasqyruar qëndrimin e Maja Koçijançiç, zëdhënësja e përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Europian, e cila ka reaguar në lidhje me censurën e medias në Shqipëri.
Teksa u pyet për ndalimin e një emisioni investigativ në vendin tonë, Kocijancic tha: Liria e shprehjes dhe e medias janë themelore për Bashkimit Evropian. Liria e medias, kyçe për procesin e zgjerimit. Po ndjekim zhvillimet në rajon dhe në Shqipëri. Censura do analizohet në raportin e përvitshëm”. Është e vërtetë se censura e medias nuk përbën më lajm në Shqipëri, por protesta kundër censurës ndoshta do t’i meritonte ca fjalë. Dhe jo vetëm kur bëhet shqetësim për të huajt.