Gazetari Berat Buzhala beson se zgjedhjet e 25 Prillit i fiton opozita dhe ditën e hënë kryeministër do të jetë Lulzim Basha. “Unë besoj se Rama nuk do të jetë Kryeministër pas të hënës. Asnjëherë s’e kam parë qytetarin shqiptar më me shumë ankth se kaq për zgjedhjet.
Edhe taksisti edhe kamerieri më shikojnë dhe më thonë; Apo largohet ky? Shqipëria nuk duhet të prishë praktikën e pashkruar që pas 8 viteve pushteti duhet ndryshuar” tha ai. Por ka një frikë. “Shpresojmë që të mos deformohet vota”.
“Rama kishte dy mandate të plota, absolute. Në mandatin e tretë me kërkuar ndryshimin, po shikojmë një përpjeke dëshpëruese me vaksinimin që është e dyshimtë në vetvete në momentin që merret nga Turqia, ato nuk do të vijnë falas, një pjesë e sovranitetit do të shitet. Do të ishte më mirë me gjetur rrugë normale, si shtetet e tjera, përmes kontratave, pasi rrugët e shkurtra…”.
Gazetari i njohur ka një këshillë për qytetarët shqiptarë. “Mos vendoset vota me cfarë është thënë në dy javët e fundit, por cfarë është bërë në 8 vitet e fundit. Në 4 vitet e fundit, Shqipëria ka rënie me të gjithë matësit që vlerësohen shtetet”.
Ftesën e Ramës për Bashën për bashkëpunim pas zgjedhjeve, Buzhala e cilëson si makinacion të kryeministrit. Por a duhet të ketë një koalicion PS-PD? “Do të ishte fatale për Shqipërinë. E përjashtoj. Si pikë e parë nuk do të jetë nevojë, mes një koalicioni me PS dhe një me LSI, Basha do të zgjedhë LSI-në, pasi do të jenë të mjaftueshme, pasi shqiptarët nëse votojnë për ndryshim” tha ai.
Aleanca me Metën, tha më tej Buzhala është e vetmja goditje e shumicës socialiste që Bashës i prish punë, por për këtë, ai thotë se lideri i PD-së duhet të gjykohet pas 2 viteve si ka qeverisur nëse merr pushtetin. Protagonizmin e Ilir Metës nuk e shikon të tepruar, referuar momentit.
“Sikur të ishte kohë normale do të ishte e tepruar. Ilir Meta është pjesë e fushatës. Po bën një lloj dhënie të besimit të qytetarëve shqiptarë se unë ju garantoj që Ramën nuk e lë me vjedhur. Meta është i vetmi që nuk intimidohet nga Rama”.
Një letër e kryeministrit slloven për rishikimin e kufijve të Ballkanit riktheu edhe njëherë debatin në rajon, ndërsa kryeministri Edi Rama tha se e kishte parë dhe diskutuar me Janez Jansha. Buzhala thotë se nuk ka gjë më të sigurt se të fillosh një luftë duke propozuar një ide të tillë, pra rishikimin e kufijve.
“Ideja e këmbimit të territoreve, nuk ka gjë më të sigurt se të fillosh një luftë duke propozuar një ide të tillë. Çmenduria më e madhe është që shqiptarët me kërkuar më shumë sesa kanë tash. Unë jam i bindur se Rama nuk e njeh as hartën e Kosovës. Ai e ka publikuar në faqen e tij në FB një hartë të Kosovës që është pjesë e Serbisë. Ndoshta edhe ka parë diçka, por nuk e di cila është harta reale, Rama ka qenë i manovruar, pasi Thaci ka pasur interes me notuar në këtë proces. Kur flet Rama për veriun e Kosovës nuk e di cfarë përfshinë” tha ai.
Pak ditë më parë presidenti serb, Vuçiç duke folur për zgjedhjet në Shqipëri tha se Basha dhe Berisha duan Shqipërinë e Madhe. Për këtë përfshirje të tij, Buzhala theksoi se “Më shumë është sabotazh i Vuçiç. Vuçiç e ka thënë për të frikësuar ndërkombëtarët, unë nuk besoj se Basha e ka në axhendë atë temë” përfundoi ai.