“Kush e ka rradhën?” pyetja e shtruar nga ambasada amerikne ka ngjallur një debat mes gazetarëve dhe politikës. Kush e ka rradhën? Gazetarja Lala tha se përgjimet e shërbimeve partnere arrijnë deri në nivelet më të larta të qeverisë. Ajo tha se përgjimet e tyre arrijnë deri në Kryeministri. “Nuk mund të them emra, por është e sigurë se këto përgjime janë deri në nivelet e larta në Kryeministri”, tha gazetarja.
Lala në studion e emisionit “Opinion”, tregoi se në fashikujt e ‘Dosjes 339’, zbulohet se zyrtarë të lartë dhe madje deri tek zyrtarë të Kryeministrisë gjenden të përgjuar në dosjen e prokurorisë.
“Dosja 339, aty ku është i përfshirë edhe kryetari i Bashkisë së Durrësit, e cila është një dosje me 17 fashikuj dhe unë kam lexuar një pjesë të saj, aty kupton se sa shumë zyrtarë të lartë të të gjitha niveleve janë përgjuar. Duke filluar nga politika, administrata të niveleve të ndryshme, bota e sportit dhe duke shkuar deri tek zyrtarë të Kryeministrisë”.
Ish-ministri i Drejtësisë, Gazmend Bardhi, të enjten, deklaroi se pas një hetimi të nisur kryesisht në shkurt të 2016, prokuroria për Krime të Rënda vuri nën përgjim dhe vëzhgim Emiljano Shullazin dhe miqtë e tij.
Bardhi tha në studion e emisionit “Opinion”, mes dhjetëra telefonatave të përgjuara, dy prej tyre tërhoqën vëmendjen e prokurorëve.
Ai tregoi se në rrjetën e përgjimit, kishte rënë Jurgis Çyrbja, ish-zyrtar i lartë i hipotekës në Durrës, aktualisht deputet i Partisë Socialiste.
Sipas tij, sapo një oficer i policisë gjyqësore shkoi në zyrat e hipotekës në Durrës për të sekuestruar praktikën e regjistrimit të ish-hotel Vollgës, Çyrbja telefonon Gilmando Danin, i konsideruar si krahu i djathtë i Shullazit.
Bardhi tha se Çyrbja është deputet i Kuvendit të Shqipërisë me ndihmën e kësaj bande, pasi socialistët e kanë kthyer në sistem bashkëpunimin me krimin e organizuar.