Gazetarja Tota dhe drejtuesit e “Publicus” do të dëshmojnë

Largimi nga puna i gazetares Alida Tota vetëm se po investigonte rastin e vdekjes së të miturit Ardit Gjoklajt në landfillin e Sharrës ka bërë që deputetët e Partisë Demokratike, anëtarë të Komisionit parlamentar të Medias, të kërkojnë zyrtarisht një seancë dëgjimore me gazetaren Tota. Po ashtu mbyllja e emisionit investigativ “Publicus” që solli fakte të dokumentuara për vdekjen e Arditit dhe punës së të miturve në landifillin e Sharrës janë në qendër të kësaj kërkese nga PD.
Gazetarja Alida Tota, e cila mbante postin e drejtoreshës së informacionit në televizionin “A1 News”, hodhi dritë mbi ngjarjen në landfillin e Sharrës ku rreth 300 punonjës punonin pa sigurime dhe në kushte jo të sigurta për jetën.
Alida Tota u shkarkua nga puna më 18 gusht të këtij viti, vetëm se kërkoi të nxirrte informacionin në zbardhjen e vdekjes së 17–vjeçarit Ardit Gjoklajt.
Një njoftimin e PD-së thuhet: “Gazetarja Tota bëri një investigim pas vdekjes së Ardit Gjoklajt, ku rezultoi se ishin bërë përpjekje për të fshehur këtë ngjarje, për të humbur gjurmët e viktimës dhe gjithashtu rezultoi se rreth 300 punëtorë aty ishin të pasiguruar dhe shfrytëzoheshin në kushte skandaloze e të pasigurta për jetën. Kur gazetarja Tota po thellonte këtë investigim dhe i kërkoi zyrtarisht informacion Erion Veliajt për këtë aferë skandaloze kriminale e korruptive, menjëherë i erdhi urdhri për pushim nga puna”.
“Partia Demokratike e konsideron këtë rast një dhunim të rëndë të lirisë së fjalës dhe censurë që ushtroi Erion Veliaj për të mbyllur gojën e medias mbi skandalin e Sharrës. Largimi i Totës ishte një konfirmim tjetër për përgjegjësinë e drejtpërdrejtë që ka Erion Veliaj në krimin e Sharrës, ku është zbuluar se përpara Arditit ka humbur jetën edhe një grua pikërisht për shkak të mosrespektimit aty të asnjë norme ligjore e sigurie.
Deputetët e Partisë Demokratike në Komisionin e Medias e kërkojnë këtë seancë dëgjimore për të bërë transparencë në lidhje me largimin arbitrar nga puna të zonjës Tota që lidhet me përpjekjet e Erion Veliajt për të fshehur aferën e tij të paligjshme në Sharrë, ku humbi jetën dhe Arditi 17 vjeç”.

PD thërret seancën dëgjimore me gazetaren

Grupi parlamentar i Partisë Demokratike
Drejtuar: Komisionit për Edukimin dhe mjetet e informimit publik
Kërkues: 1/3 e anëtarëve të Komisionit të Edukimit dhe mjetet e informimit publik
Objekti: Zhvillimi i një seance dëgjimore me znj. Alida Tota, gazetaren e televizionit “A1 News”, e pushuar nga puna mesa duket për shkak të investigimit gazetaresk të skandalit në landfillin e Sharrës, Tiranë e me përfaqësues të Shoqatës së Gazetarëve Profesionistë.
Baza ligjore: Nenet 32 dhe 36 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë
Të nderuar deputetë,
• Opinioni publik u njoh muajin e kaluar me rastin e gazetares Alida Tota, drejtoreshë e lajmeve në televizionin “A1 News”, e cila u pushua nga puna, pa paralajmërim pas një emisioni investigativ mbi landfillin e Sharrës, ku u gjet i vrarë një punëtor 17-vjeçar i quajtur Ardit Gjoklaj, i cili rezultoi pa kontratë pune, si dhe dhjetëra të mitur të tjerë që shfrytëzoheshin në punë të rënda e në kushte informale bashkë me prindërit e tyre. Landfilli bashkadministrohej nga Bashkia Tiranë.
• Zonja Tota në letrën e saj të dt. 19 gusht 2016 drejtuar Komisionit shpjegon se hulumtimi gazetaresk i Departamentit të Lajmeve në “A1 News” zbuloi dëshmi se Ardit Gjoklaj ishte vrarë nga makineritë e landfillit që i shkaktuan dëmtime trupore të rënda. Gjatë investigimit u zbulua se, përfaqësuesit e kompanisë së riciklimit, në përpjekje për të fshehur krimin e kishin futur viktimën në qese plastike të hedhur në masivin e plehrave. Dëshmitë ekskluzive zbuluan se, në landfillin e Sharrës shfrytëzoheshin mbi 300 punëtorë pa kontrata pune e në kushte shumë të rënda. Pak ditë pas arrestimeve për ngjarjen, Bashkia Tiranë mbylli fshehtas landfillin dhe dëboi punonjësit që shfrytëzoheshin në “të zezë” duke mos i paguar për punën e bërë.
Znj. Tota sqaron se “në respekt të standardeve profesionale, ajo kërkoi dhe qëndrimin e Bashkisë, kryetarit z. Erion Veliaj, përgjegjës për landfillin, të shpjegonte problemet e konstatuara. 24 orë më vonë, më 18 gusht 2016 zonjës Tota, iu komunikua pushimi nga puna. Zonja Tota, përmes letrës drejtuar Komisionit, ku ka bashkëngjitur edhe katër dokumente, paraqet rastin e saj dhe kërkon vëmendje e veprim nga deputetët.
• Shoqata e Gazetarëve Profesionistë, (SHGPSH/APJ Albania) në dt. 20.09.2016, në letrën drejtuar Komisionit të Edukimit e Medias e konsideron arbitrar aktin e pushimit nga puna të zonjës Tota dhe mendon se shkak për të është ndërhyrja politike. “Të tilla ngjarje janë një kërcënim real për lirinë e medias në vendin tonë. Ne protestuam publikisht për këtë rast. Shoqata konsideron se, Komisioni juaj përgjegjës për median, duhet ta shqyrtojë këtë rast dhe rrezikun për lirinë e medias që ai paraqet”, thuhet në qëndrimin e SHGPSH. Shoqata shprehet se përfaqësuesit e saj do të ishim të gatshëm të paraqiteshim në dëgjesë para Komisionit, në rast se do të ftoheshin.
Përsa më sipër, nisur dhe nga objekti i punës sonë, Kuvendi nëpërmjet Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik duhet jo vetëm të njihet dhe të verifikojë këtë kërcënim për lirinë e medias shqiptare, por të mbështesë publikisht gazetarët kurajozë dhe profesionistë. Ne e konsiderojmë të rëndësishme trajtimin e shqetësimeve dhe presionit që u bëhet gazetarëve nga struktura të pushtetit dhe politikës, si dhe konsiderojmë të domosdoshme marrjen e masave për një gazetari të lirë e të pavarur dhe mbrojtjen e gazetarëve.
Në këto kushte, në përputhje me nenin 36 të Rregullores së Kuvendit, ku parashikohet se: “Komisioni është i detyruar të zhvillojë seanca dëgjimore publike me përfaqësues të grupeve të interesit, në rast se një e treta e të gjithë anëtarëve të komisionit e kërkon atë në mënyrë të motivuar me shkrim”, me qëllim marrjen e një vlerësimi të plotë mbi këtë çështje,
Kërkojmë:
Thirrjen e mbledhjes së Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, brenda muajit tetor 2016 me këtë rend dite:
“Zhvillimin e një seance dëgjimore publike me gazetaren Alida Tota dhe me përfaqësues të Shoqatës së Gazetarëve Profesionistë.
Kryetari i Komisionit, bazuar në nenin 33 të Rregullores së Kuvendit në këshillim me nënkryetarin e sekretarin e në kontakt me palët e ftuara në këtë dëgjesë, të caktojë ditën dhe orën e mbledhjes së Komisionit.
Anëtarët e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik
1. Bedri Hoxha
2. Luçiano Boçi
3. Myqerem Tafaj
4. Eleina Qirici
5. Astrit Veliaj
6. Gjovalin Bzheta
7. Gerd Bogdani
8. Liliana Elmazi
9. Gjergji Papa

Exit mobile version