Gazetarja Alida Tota, e shkarkuar nga detyra pas bërjes publike të investigimeve mbi vrasjen e Ardit Gjoklajt në Sharrë, do të zhvillojë një seancë dëgjimore në Komisionin e Medias në Kuvend.
Komisioni i Medias, me votat e deputetëve të Partisë Demokratike, LSI-së dhe deputetes Mimoza Hafizi pranuan kërkesën e Shoqatës së Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë për dëgjesën me zonjën Tota. Deputetët e mazhorancën votuan të gjithë kundër.
Seanca dëgjimore e gazetares do të zhvillohet ditën e mërkurë, në orën 10.
Gazetarja Tota ka akuzuar kryebashkiakun Veliaj se ka ndërhyrë për shkarkimin e saj nga detyra në televizionin “A1 News”, pas publikimit të disa investigimeve për vdekjen e të riut në Sharrë. Këto akuza, gazetarja i ka bërë në emisioni “Publicus”, që njësoj si investigimet e Alida Totës u censurua dhe nuk u lejua të transmetohej në televizionin “Vizion Plus”.
Alida Tota, deri pak ditë më parë mbante postin e drejtoreshës së Informacionit në televizionin “A1 News”, por është shkarkuar me shpejtësi pas denoncimeve për shfrytëzimin që i bëhej fëmijëve në landfillin e Sharrës dhe favorizimin që kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj i kishte bërë kompanisë që vepronte atje.
Në një rrëfim për mediat, gazetarja Tota tregon sesi kanë rrjedhur ngjarjet që sollën më pas shkarkimin e saj nga detyra. Ajo thotë se ka qenë drejtori i televizionit, Neritan Gjojdeshi, i cili më parë ka mbajtur postin e drejtorit të ujësjellësit, ai që ka urdhëruar shkarkimin e saj. Fillimisht, Gjojdeshi ka thërritur në zyrë redaktorin e Totës për ta pyetur “se përse po sulmohej Erion Veliaj” dhe një orë më vonë juristi i televizionit është urdhëruar për të hartuar shkresën e shkarkimit nga puna.
Gazetarja dha dëshmi ekskluzive sesi shfrytëzoheshin fëmijët në landfillin e Sharrës, ku u masakrua djali 17 vjeç. Në dëshminë që e kishim regjistruar me kamera të fshehtë përmendej Erion Veliaj që ka favorizuar kompaninë e riciklimit që merrte 15 mijë euro/muaj nga Bashkia për riciklimin e mbeturinave në Sharrë.
Mazhoranca duket se po humbet shumicën e saj. Një fakt i tillë dëshmohet në Komisionin e Medias në Kuvend, duke mos mundur që të ndalojë kërkesën e PD-së për një seancë dëgjimore me gazetaren Alida Tota. Kjo e fundit u shkarkua nga detyra e saj si drejtoreshë e lajmeve në një televizion, pas një kronike investiguese që u bë për vrasjen e Ardit Gjoklajt në Sharrë.
Në Komisionin e Medias në Kuvend, përveç Partisë Demokratike kanë votuar pro edhe deputetja Mimoza Hafizi dhe Kejdi Mehmetaj e LSI-së. Seanca dëgjimore do të bëhet ditën e mërkurën, në orën 10:00.