Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi në një deklaratë për mediat nga selia e blu u shpreh se kryesia e mbledhur sot diskutoi për organizmin e protestave popullore.
Sipas Bardhit vendimi i kryesisë së PD-së është që nesër në orën 11 të thërrasë mbledhjen e Kolegjit të kryetarëve për të diskutuar mbi strategjinë e protestave që do të ndiqen me qëllim largimin e qeverisë së Edi Ramës.
“Sot ishte mbledhja e parë e Kryesisë së re të Partisë Demokratike. Në zbatim të vendimit të Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike që ngarkoi kryesinë e re me organizimin e protestave popullore me qëllim largimin e qeverisë së Edi Ramës. Sot kryesia ka diskutuar mbi strategjinë e protestave që do të ndjekë Partia Demokratike dhe opozita për këtë vendimarrje të Këshillit Kombëtar.
Vendimi i Kryesisë së Partisë Demokratike është që nesër në orë 11:00 të thërrasë mbledhjen e Kolegjit të kryetarëve, një organ i ri statuor i PD-së, për të diskutuar mbi strategjinë e protestave që do të ndiqen dhe më pas nga mbasditja do të ketë një mbledhje të Kryesisë së Partisë Demokratike mbi detajet dhe strategjinë e protestave që do të ndjekë Partia Demokratike. E vetmja thirrje që kam është që ju t’i bashkoheni protestës së opozitës”, u shpreh Bardhi.