Anëtari i Kryesisë së PD, Gazment Koduzi dhe kryetari i degës së PD, Divjakë, Julian Gjini, kanë denoncuar mungesën e mjekëve në qendrën shëndetësore në fshatin Çermë Sektor, në bashkinë Divjakë. Në postimin e tij në Facebook, Koduzi shprehet se aty jetojnë rreth 6 mijë banorë që prej 10 muajsh nuk ka kush t’i vizitojë. Sipas tij, ky nuk është i vetmi rast dhe është rezultat i një politike të gabuar shëndetësore dhe një propagande qeveritare që i ka dalë boja.
Denoncimi i Anëtarit të Kryesisë së PD, Gazment Koduzi dhe kryetarit të degës së PD, Divjak, Julian Gjini:
Mjekësia falas e premtuar nga Edi Rama dhe socialistët ishte një ndër mashtrimet më të mëdha elektorale të kësaj mazhorance.
Jo vetëm që shëndetësia nuk u bë falas, por njerëzit ngelën pa mjek që të mund t’i vizitojë dhe të ndjekë gjendjen e tyre shëndetësore.
Ky është rasti i fshtatit Çermë Sektor (Tërbuf) në bashkinë e Divjakës në të cilin rreth 6 mijë banorë prej 10 muajsh janë pa mjek.
Sigurisht që nuk është një rast i izoluar dhe i vetëm, por është rezultat i një politike të gabuar shëndetësore dhe një propagande që i ka dalë boja.
E gjithë politika e PS-së, duke filluar nga rekrutimi i mjekëve të rinj nëpërmjet portalit “Mjek për Shqipërinë” dhe politikat e tjera shëndetësore, dështuan, ndaj kjo qeveri duhet të mbajë përgjegjësi.
Mjekët ashtu si mësuesit janë një kategori e lënë në harresë nga kjo qeveri, ndaj ata zgjedhin të largohen nga vendi i tyre.
Edhe politika e mbajtjes me detyrim e mjekëve të rinj është një politikë e gabuar dhe një dështim i paralajmëruar.
Vetëm stimuli ekonomik me rroga më të larta, përmirësimi i kushteve të punës, nëpërmjet politikave të duhura të rregullimit të sistemit shëndetësor parësor, dytësor dhe tercial, dhe trajtimi me dinjitet dhe mbështetje të mjekëve dhe personelit mjekësor, do të përmirësoj situatën, duke e nxjerr nga ngërçi ku e futi politika e gabuar e ngritur vetëm mbi propagandën.
Partia Demokratike e Shqipërisë zotohet për politika shëndetësore që do ta përmirësojnë gjendjen e shëndetësisë në vend, duke i trajtuar pacientët dhe mjekët me respektin dhe dinjitetin e merituar.
Vetëm një politikë mbështetëse që ngrihet mbi ekonominë e fortë dhe rrogat e ngjashme me vendet e tjera të Rajonit, do të rikthejë besimin dhe do të përmirësojë situatën alarmante në të cilën ndodhet sot shëndetësia.