Gazment Koduzi: Shëndetësia e centralizuar, një model i dështuar – Koalicioni Euroatlantik sjell zgjidhjen

Gazment Koduzi, profesor i politikave shëndetësore dhe kandidat i Koalicionit Euroatlantik për Tiranën, ka reaguar në rrjetet sociale kundër modelit të menaxhimit të shëndetësisë nga qeveria, duke e cilësuar atë si një sistem të dështuar, të centralizuar dhe të ngarkuar me koncesione korruptive.

“Autonomia spitalore e qeverisë është një farsë! Po sjellin menaxherë të huaj në një sistem të rrënuar, ku financimi është i gabuar, personeli mjekësor po largohet dhe koncesionet korruptive kanë shkatërruar shërbimin,” shprehet Koduzi.

Sipas tij, spitalet sot funksionojnë si në një sistem socialist, ku buxhetimi bëhet pa asnjë analizë reale të nevojave dhe trendit të sëmundshmërisë së popullatës.

Tri problemet kryesore që po shkatërrojnë shëndetësinë:

Financimi i gabuar: Spitalet financohen me një buxhet historik të pandryshuar, pavarësisht nevojave në rritje të pacientëve dhe mungesës së investimeve në pajisje dhe furnizime.

Largimi i mjekëve dhe mungesa e stafit: Sistemi i punësimit është i centralizuar dhe nuk merr parasysh nevojat e spitaleve, ndërsa pagat e ulëta dhe kushtet e vështira po i detyrojnë mjekët dhe infermierët të largohen nga vendi.

Koncesionet korruptive: Shërbimet spitalore janë të copëzuara nga koncesione të dyshimta, si sterilizimi dhe laboratori, që po rrënojnë financat e spitaleve dhe po rëndojnë mbi pacientët.

Zgjidhja? Koalicioni Euroatlantik ka një plan të qartë për reformimin e shëndetësisë:

Spitalet si ndërmarrje të vetëmenaxhueshme, me financim të bazuar në performancë.
Paga sipas meritës dhe performancës, jo njësoj për të gjithë.
Liri për spitalet në punësimin e stafit dhe blerjen e pajisjeve dhe barnave, pa burokraci dhe kufizime absurde.
Krijimi i një tregu shëndetësor me sigurime të detyrueshme, ku parimi “paraja ndjek pacientin” do të garantojë cilësi dhe zgjedhje për qytetarët.

Postimi i Gazment Koduzit:

Autonomia spitalore si në një sistem shëndetësor socialist!

Imagjinoni sikur në Shqipërinë socialiste të viteve ’80 kur cdo gjë ishte me racion, 1 kg mish në muaj, 1 L vaj sallate, 100 gr gjalp, 1 kg djath, dhe të sillje një shef kuzhine nga Franca me 2 yje Michelin, dhe ti jepje detyrën që të përgatiste një drekë të mirë për fundjavë. Cfarë do të ndodhte? Do kishim drekën që do dëshironte të bënte Shefi apo një drekën e planifikuar nga qeveria përmes racionimit?
E njëjta situatë ndodh edhe në sistemin shëndetësor shqiptar, i cili për mendimin tim është një ishull socialist në një ekonomi të tregut. Kryeministri thotë njëherë që i jap kartën e autonomisë spitalore, njëherë do ja jap për menaxhim onkologjikun izraelitëve, njëherë tjetër sjell menaxherë nga Turqia. Por, të gjithë këta janë në situatën e shefit të famshëm në socializëm. Kjo për arsyen e thjeshtë, se menaxhimi i një institucioni të komplikuar si spitali, mbështetet në 3 kolona: menaxhimi financiar, i burimeve njerëzore, logjistik.
 Kufizimi i parë në menaxhim është mënyra e financimit: Sot, spitalet tona financohen me buxhet historik, që dmth nuk bëhet analizë nëse me buxhetin që ka patur spitali vitin e mëparshëm ka ofruar shërbimet për të cilat kanë patur nevojë qytetarët apo jo, a ka patur mungesa në furnizime, a ka nevojë për investime apo përditësim të aparaturave, dhe mbi të gjitha një analizë e trendit të sëmundshmërisë së popullatës. Psh në buxhetin e vitit 2022 sektori spitalor është financuar me 29,164 milionë lekë ndërsa në vitin 2023 me 26,313 milionë lekë, ose 10% më pak. Kjo ulje vjen si mungesë e analizave të mësipërme, sepse normalisht buxheti duhet të vijë në rritje, sepse rritet sëmundshmëria, ndryshon struktura demografike me rritje të peshës së moshës së tretë.
 Kufizimi i dytë që lidhet mënyrën e menaxhimit të burimeve njerëzore: Në lidhje me menaxhimin e burimeve njerëzore, mjekët dhe infermierët punësohen përmes portalit “Mjek për Shqipërinë” apo “ Infermier për Shqipërinë”, ku institucioni nuk ka asnjë input në përzgjedhjen e personelit që do të punësojë, cfarë nuk mundëson që të punësohet personeli që i përshtatet vendit dhe ambjentit të punës. Në një vend ku personeli mjeksor po ikën nga sytë këmbët, kemi numrin më të vogël të mjekëve për frymë rreth 1.2 mjek për 1000 banorë, për shkak të pagave jodinjitoze më të ultat në rajon, kushteve të punës jo të përshtatshme, duhet një përqasje ku personeli duhe trajtuar me dinjitet, motivohet duke shpërblyer meritën dhe cilësinë e shërbimit. Për shkak të centralizimit të punësimit që nuk ka qenë as në socializëm, kemi edhe vende bosh nëpër spitale, aq sa edhe sistemi i bonusit për specialist të shkojnë dhe punojnë nëpër spitale rajonale apo bashkiake, ka dështuar me suksese.
 Kufizimi i tretë që lidhet me logjistikën, shërbimet dhe koncesionet: Spitalet kanë nevojë për barna dhe shërbime të ndryshme, të cilat prokurohen në qendër nga Ministria e Shëndetësië, me kontrata të cilat bazohen në parimin e blerjes së mallit më të lirë dhe me sasi të mbyllur, cfarë është larg kontratave modern që bazohen në cmim për njësi dhe spitali furnizohet sipas nevojës. Spitali ofron shërbime, por sot spitalet janë të copëtuara nga koncesionet korruptive, si : sterilizimidhe laboratori. Këta menaxherë që po sjell Rama cfarë mund të bëjnë me këto koncesione, nëse ju del që nuk janë kosto efektive, psh koncesioni i laboratorëve ka marrë 10.4% të buxhetit të QSUT gjatë 2024, nëse do duan ta mbyllin këtë kontratë, a e kanë të mundur?
Zgjidhje kësaj situate i jep programi politik i shëndetësisë propozuar nga Demokratët Euroatklantikë – Koalicioni Euroatlantik, përmes reformimit të sistemit shëndetësor në përgjithësi, dhe sektorit spitalor në këtë rast. Në radhë të parë funksionimi sipas konceptit “spitali ndërmarrje”, ku institucioni vetëmenaxhohet në gjithë elementët e tij. Kjo do të bëhet e mundur duke reformuar financimin e spitaleve bazuar në aktivitetin dhe performancën e tyre ( DRG), motivimin e personelit mjeksor përmes pagesës e sipas performances ( jo të gjithë kirurgët të njëjtën pagë, ndërsa nuk bëjnë të njëjtët numër operacionesh apo tëë njëjtin nivel vështirësie), planifikimi i shërbimeve nga vetë spitali, prokurimi i shërbimeve dhe mallrave nga vetë spitali. Që të arrihet këtu, duhet të krijohet tregu i shërbimeve shëndetësore dhe sigurimeve shëndetësore, që qytetari ta zgjedhë vetë se ku do të kurohet dhe me kartën e sigurimeve në xhep që paguan faturën, do të zbatohet parimi “paraja ndjek pacientin”.
Ky është vizioni për shëndetësinë që i paraqes shqiptarëve si pjesë e listës së Koalicionit Euroatlantik, me devizën “Shëndet dhe dinjitet”.
Shqipëria meriton më shumë!

Exit mobile version