Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu tha në një deklaratë për mediat se, ajo që po bën policia dhe kjo qeveri ndaj banorëve të Unazës së Re është një gjenocid, ndërsa shtoi se Edi Rama në këtë protestë ka vërtetuar se është i biri i babait komunist të ndyrë dhe se sot duhet të ishte në burg.
Balliu u shpreh se duhet shmangur përplasja, kurse ka bërë thirrje për dialog.
“Për çfarë po i arrestojnë banorët? Ky është gjenocid. Edi Rama është biri i të atit, një komunist i ndyrë që duhet të jetë në burg. Na thirrën me fletë thirrje, ndërsa ndryshuan me fletë-arrest. Këtu mund të ketë përplasje. Erion Veliaj dhe kjo qeveri ka përgjegjësi se në këtë rrugë kanë vdekur dy banorë se ka hequr dritat. Iu bëj thirrje të zgjedhin dialogun, se nga përplasja nuk fiton askush”, tha Balliu.
Klevis Balliu theksoi se arrestohen banorët pse bllokojnë rrugën, ndërsa protesta është lajmëruar edhe në polici. Sipas tij, kjo gjë është absurde. Balliu vlerësoi se Veliaj bllokon rrugët me biçikleta e nuk e fut njeri në burg.
“Protesta është legjitime, ka arrestime, nuk e di pse e bëjnë. Këta bllokojnë rrugën. Erion Veliaj bllokon rrugën për biçikleta dhe ta fusin në burg për biçikletat. Ndërsa banorët këtu po bllokojnë rrugën se ka skandal korruptiv. Të gjithë banorët këtu janë në protestë. Përplasja dhe gjithçka ndodh këtu është faji i policisë. Iu kam thënë se kjo punë nuk bëhet me arrestime, por me dialog. Policia nuk ka punë me banorët, por kjo polici bllokon rrugën. Kjo protestë është e ligjshme, kjo është protestë e dokumentuar”, u shpreh Balliu.