Procesi për tragjedinë e Gërdecit ka hyrë në fazën e dëshmitarëve kryesorë pas përballjes së ish-ministrit Fatmir Mediu me disa prej tyre në gjykatën e Posaçme të enjten më 30 nëntor. Në këtë seancë, ish-punonjësja e ministrisë së mbrojtjes Anila Lala (Gjergji) pranoi se faksi i Aldo Bumçit në vitin 2007 me shënimin “për Shkelzen Berishën”, kishte mbërritur në atë formë në Ministrinë e Mbrojtjes.
Dëshmitarët e radhës, që janë në listë për tu pyetur në seancën e 7 dhjetorit dhe një javë më pas, duket se kanë të bëjnë pikërisht me këtë dokument, të shkëmbyer mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes në vitin 2007 lidhur me projekt-vendimin e qeverisë për ngritjen e fabrikës së demontimit në Gërdec.
Plarent Ruka, Sokrat Papadhima, Liza Maksuti, Alma Zili e Anjola Agolli, janë dëshmitarët e radhës të thirrur në seancën e 7 dhjetorit. Anjola Agolli është ish-sekretarja e ministrit të Drejtësisë të kohës, Aldo Bumçi, e cila në hetimet paraprake, ka pranuar se për çështjen Gërdeci janë nisur fakse nga Ministria e Drejtësisë për Ministrinë e Mbrojtjes dhe kjo ka ndodhur konkretisht nga Drejtoria e Kodifikimit. Pas Agollit, në listën e dëshmitarëve të prokurorisë renditen Aldo Bumçi me numër rendor 51 dhe Shkelzen Berisha me numër 52 të cilët sipas kalendarit të seancave, pritet të paraqiten në gjykatën e posaçme më 14 dhjetor.
Bumçi dhe Berisha janë pyetur edhe gjatë hetimeve paraprake në lidhje me faksin me shënimin “për Shkelzenin”, ndërkohë që SPAK, dyshon se djali i ish-kryeministrit ka pasur takime me ministrat para dhe telefonata menjëherë pas shpërthimit në Gërdec.
Pas rihapjes së procesit për tragjedinë e marsit të vitit 2008, me 26 të vdekur e mbi 300 të plagosur, në gjykatë kanë dëshmuar deri tani rreth 40 dëshmitarë. Të enjten Fatmir Mediu pranoi përgjegjësinë morale por përjashtoi veten nga përgjegjësia ligjore lidhur me ngjarjen.