Lidhur me tragjedinë e Gërdecit, janë marrë në pyetje sot në procesin gjyqësor në GJKKO edhe dy dëshmitarë, Bardhyl Hoxha, ish-Drejtor Logjistike në Ministrinë e Mbrojtjes në 2008, dhe Sadik Sula, ish-ushtarak i cili ka punuar në këtë depo.
Në fillim nga prokurorët e çështjes u njoh nga një memo të përpiluar prej tij në dhjetor të 2006, ku i ishte kthyer një përgjigje nga drejtoria e logjistikës një fax-i të ardhur nga kompania amerikane, SAC. Ajo propozonte që demontimi i municioneve të bëhej në Bërzhitë.
Ndërkohë përgjigjia sipas drejtorisë logjistike i ishte kthyer në harkun kohor të 24-48 orëve, shkak sipas Hoxhës ishte që Bërzhita nuk ishte vend i përshtatshëm pasi ishte pranë banesave dhe rrugës kryesore si dhe depot nuk ishin të licensuara për te kryer këtë proces.
Në dëshmi Hoxha deklaroi se licencimi nuk ishte ndonjë akt u veçantë por merrej parasysh gjendja e depos, rrethimi me tela me gjemba dhe izolimi. Në këto kushte, Bërzhita i plotësonte këto kushte.
“Të pranishëm kanë qenë Sokrat Papadhima, specialist, sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, Ardian Mullai dhe një jurist. Nuk e di çfarë është bërë me Gërdecin sepse në atë periudhë u largova nga detyra, duke marrë një post tjetër. Kthimi i përgjigjes për 48 orë u bë pasi çështja e demontimit ishte me shumë rëndësi dhe i jepnim vëmendje çdo projekti dhe sugjerimi të mundshëm. Kishim 109 tonë municion që duhej asgjësuar.”
Sipas tij, ai nuk është pyetur kurrë për Gërdecin gjatë kohës që ka ushtruar këtë detyrë. I pyetur nga njëri prej avokatëve të Mediut, për raportin me këtë të fundit, Hoxha tha: “E veçoj nga Minisitrat e tjerë për korrektësinë”.
Më herët në GJKKO është marrë në pyetje edhe ish-ministri i mbrojtjes, Fatmir Mediu, ku para trupës gjykuese ka shpjeguar pozicionin e tij, duke deklaruar ndër të tjera se i vinte keq se dorëheqjen e tij si ministër dhe më pas sjelljen dhe qëndrimin në lidhje me tragjedinë, sipas tij grupime të caktuara politike dhe jopolitike, e kanë parë si akt dhe sjellje dobësie dhe si reflektim të një individi me faj. Ai thotë se për familjarët që humbën të afërmit në tragjedinë e Gërdecit “nuk kam çfarë të them t’ju shprehë edhe njëherë, keqardhjen e madhe dhe ndjesën e thellë për çfarë pësuan nga ngjarja e 15 Marsit.”