Kontratat dhe shifrat e akorduara nuk gënjejnë: protokolli Itali-Shqipëri për emigrantët është një gropë në arkën e shtetit. Shpenzimet, rreth 900 milionë euro në total, përfshijnë ndërtimin e strukturave, menaxhimin e qendrave, punën jashtë orarit, ushqimin dhe akomodimin e forcave të policisë italiane të stacionuara në Shqipëri. Mikpritja u është besuar dy strukturave të mëdha hoteliere.
“Domani” zbuloi se pronari i kompanisë që përfitoi më shumë nga paratë publike nga qeveria e Giorgia Melonit ka lidhje të forta me anëtarët e partisë së kryeministrit shqiptar Edi Rama.
Por le të nisemi nga dështimi i fundit i operacionit “Albania”, pra kthimi në Itali i shtatë emigrantëve të fundit të dërguar në Gjadër.
Gjyqtarët përsëri vendosën të mos e pranojnë paraburgimin e tyre. Anija Libra e Marinës dhe ajo e rojes bregdetare vijojnë ping-pongun mes bregdetit shqiptar dhe atij italian, me kosto të mëtejshme. Kësaj i shtohen edhe ato që kanë të bëjnë me ushqimin dhe akomodimin e agjentëve italianë të punësuar në qytetin e Ramës.
Pas nëntë milionëve të siguruara nga Ministria e Brendshme për të mbuluar shpenzimet e akomodimit dhe ushqimit të 295 policëve në resortin luksoz ‘Rafaelo‘ për një vit, Ministria e Drejtësisë, siç zbulohet nga “Domani”, është gati të mbyllë një “procedurë negocimi” me vlerë mbi 993 mijë euro për sigurimin e ushqimit për punonjësit e burgjeve, nga dhjetori 2024 deri në dhjetor 2026. Me opsion 993 mijë euro të tjera për 24 muaj të tjerë. Gjithsej mbi 2.4 milionë të miratuara.
Në praktikë është një tjetër procedurë drejtpërdrejtë, pra pa garë. Nga sa mund të lexohet në faqen e ministrisë, më 4 nëntor është publikuar një njoftim me qëllim gjetjen e kompanive për dy lote, deri më 19 nëntor. E para është për furnizimin me tre vakte ditore për punonjësit e policisë penitenciare (minimumi 12 dhe maksimumi 36); e dyta, ka të bëjë me ushqimin dhe akomodimin e “katër njësive në sektorin e funksioneve qendrore”. Me pak fjalë, ndërsa agjentët duhet të flenë në parafabrikat, menaxherët do të jenë mysafirë në resortin bregdetar.
Edhe kjo procedurë, si shumë të tjera të zbuluara nga kjo gazetë, është e bazuar te urgjenca, ndaj nuk ka tenderë, duke pasur parasysh “afatet e rrepta që duhen respektuar për aktivizimin e shërbimeve esenciale të pritjes dhe administrimit të ushqimit për punonjësit e shërbimit në IEVP Gjadër”, thuhet në njoftim. Megjithatë, kishte shumë kohë: protokolli u nënshkrua një vit më parë.
Nuk përjashtohet mundësia që të dy lotet t’i besohen sërish hotelit “Inheritor” në Shëngjin, i pajisur me pishina, dhoma cilësore, me të cilin ministria ka lidhur tashmë një marrëveshje, e cila filloi në 15 shtatorr dhe do të zgjasë deri më 14 dhjetor, në një shumë totale prej 152 mijë euro. Oferta e saj ishte më e ulët se ajo e paraqitur nga ‘Rafaelo Resort‘, i cili mori pjesën e tij: tashmë ka siguruar ushqimin dhe akomodimin e gati treqind punonjësve të policisë së shtetit.
Njeriu i ‘Rafaelos’
“Ne nuk bëjmë biznes. Dhe tashmë kemi përvojë të mirëseardhjes së refugjatëve afganë”, tha Edi Rama në një intervistë për “Repubblica” pas nënshkrimit të protokollit me Giorgia Melonin. Nëse nuk është qeveria shqiptare ajo që përfiton, janë privatët ata që mbushin xhepat. Pronari i vërtetë i resortit ‘Rafaelo’ është Mark Gjinaj.
Nga viti 2018 deri në vitin 2022, të ardhurat e hotelit u katërfishuan. Një shifër që është rritur në mënyrë eksponenciale edhe sepse që nga tetori i vitit 2021 ai ka pritur (me paratë e Shteteve të Bashkuara) qindra afganë (ata që Rama i referohej në intervistë) që u larguan nga Kabuli pas ikjes së ushtrive perëndimore. Të dhënat më të fundit zbulojnë se, në vitin 2022, të ardhurat e resortit Rafaelo arritën në pothuajse 14 milionë dollarë. Buxheti i ardhshëm do të jetë më i pasur, falë milionave të fituara falë qeverisë italiane.
Sigurisht, pra, Gjinaj vazhdon të bëjë biznes me emigrantët dhe falë marrëveshjeve të bëra nga Rama. Ndër vetë sipërmarrësi ka qenë i aftë në ndërtimin e një rrjeti biznesi në sektorë të ndryshëm: nga turizmi në sektorin e ndërtimit, në sektorin e energjisë. Dhe ai ishte po aq i aftë të krijonte marrëdhënie të spikatura politike me eksponentë të ndryshëm të Partisë Socialiste Shqiptare të kryeministrit Edi Rama, madje dhe me ministra.
Rrjeti politik
Gjinaj në fakt ka lidhje të rëndësishme me klasën politike shqiptare. Në më shumë se një rast ai shfaqet në disa foto të publikuara në Facebook së bashku me sekretarin e Partisë Socialiste Shqiptare Blendi Klosi (ish-ministër i Turizmit në qeverinë Edi Rama nga viti 2017 deri në 2021) dhe Ruzhdi Kurtishaj (kryetar i Shoqatës së Turizmit të Kosovës). Klosi është njeri partiak, nga më besnikët e Ramës dhe ata që e njohin raportojnë se marrëdhëniet mes të dyve janë të shkëlqyera. Përshtatur nga “Domani”