Gjaku që kërkojnë!

Nga Ermal Peçi

Sot është beteja e fundit e Sali Berishës, një betejë të cilën unë e kisha shënjuar që në shkrimet e mia të para sesi do e kishte përfundimin. “Fillimi i fundit “ kisha shkruar në atë kohë për rrugëtimin politik të revolucionit të Sali Berishës. Historia ka shembuj të tillë plot për liderë politikë që nuk kanë arritur të masin forcën e tyre reale në momente deçizive.

Sali Berishën pikërisht e rrëzoi kjo gjë, pesha e tij që për supet e tij ishte shumë e madhe, egoja e tij prodhoi një realitet paralel, i cili ishte shumë larg nga pesha e tij e vërtetë. Ditën e sotme Berishës ju hoq imuniteti me 75 vota pro dhe zhurmën e çdo dite që vazhdohet çdo seancë plenare nga grupi i deputetëve të tij. Për arsye të moshës mendohet që tashmë atij do i përcaktohet arrest shtëpie dhe duket se këtë arrest e ka kërkuar vetë duke thyer masën e GJJKO-së, i cili i kishte vendosur detyrim paraqitje.

Sikur të mos mjaftonte e gjithë kjo që ndodhi sot, të gjithë mediat dhe analistët ngritën pikëpyetjet se ku ishte Basha. A i tradhtoi ai kauzat dhe çfarë fibre politikani përfaqëson?

Në këtë pikë të situatës kur ngjarjet janë shumë të mëdha e prodhohen dinamika, unë vetë i drejtohem Diplomacisë së Kissingerit. Kissinger e përcaktonte mjaft mirë se çfarë ndryshimi ka politikani nga gazetari dhe analisti. Politikani merr vendime, të cilave vetëm koha ju jep të drejtë ndërsa gazetarët dhe analistët mund t’i analizojnë ngjarjet pa peshën e vendit.

Pra ndër të tjera Basha vendimin për Berishën e përcaktoi që kur zgjodhi ndërkombëtarët dhe PD-në mbi individin e shpallur ”Non Grata” dhe duket se koha po i jep të drejtë mbi këtë vendim që lëvizi themelet e një partie që ishte futur në rreth vicioz.

Arsyeja tjetër se pse Basha nuk ishte prezent lidhet pikërisht me gjuhën e urrejtjes që kemi përdorur këto 33 vite dhe luftën politike deri në konflikte fizike. E në qoftë se Basha do ishte prezent përplasja brenda opozitës do të bënte më shumë bujë se vetë lajmi për heqjen e imunitetit të Berishës.

“Gjaku” i derdhur do shfaqte si alternativë të vetme Ramën, i cili do sodiste nga larg e do mbante deklarata pompoze mbi fatkeqësinë e opozitës.

Prandaj sot Basha nuk duhet të ishte dhe bëri shumë mirë që nuk ishte sepse gjaku që kërkojnë dhe shfaqja që duan nuk mund të luhet më mbi kurrizin e të djathtës shqiptare./dritare.net

Exit mobile version