Gjana: Kritikët e Bashës u thoshin demokratëve të mos votojnë

Jemin Gjana ndjehet i keqardhur për humbjen e thellë të PD-së. E priste humbjen, por jo në përmasat e 25 qershorit.
Ai i di arsyet, sepse është pjesë e PD-së që në krijimin e saj. I njeh kritizerët, sepse janë kolegë të tij dhe bashkëjetesa e gjatë me ta ka bërë që t’i kuptojë qëllimet më qartë se të tjerët, pikërisht tani që kërkojnë dorëheqjen e Lulzim Bashës nga kreu i PD-së.
Ish-ministri i PD-së tregon për “Gazeta Shqiptare” se ata nuk kanë moral të akuzojnë, pasi Basha ndoqi të njëjtat praktika për zgjedhjen e kandidatëve, siç është bërë edhe vite me radhë në PD dhe siç kanë bërë vetë ata përmes pushtetit që kanë pasur për vite me radhë në PD. Gjana shprehet se ka fakte se ata u kanë kërkuar mbështetësve të tyre që më 25 qershor të mos dalin në votime.
“Mirëpo u futën në zgjedhje edhe ata që bënë presion që PD-ja të hynte në zgjedhje, ishin ata që nuk u panë asnjë ditë në fushatë dhe madje për fat të keq kërkuan tek mbështetësit e tyre që të rrinin në shtëpitë e tyre. Po, u kanë kërkuar mbështetësve të tyre që mos të votojnë PD-në. Harruan se kjo nuk është një hakmarrje ndaj Lulzim Bashës apo një intimidim. Ishte një hakmarrje ndaj demokratëve, sepse demokratët e pësuan, sepse ra rezultati i tyre zgjedhor. Nuk po zë emra, por janë shumica e këtyre që u lanë jashtë listës së deputetëve, të mos them që ka pasur prej tyre që kanë hyrë në interlekucion me individë që kandidonin jashtë PD-së në struktura të tjera dhe që çështja ka shkuar deri në pazare. Ata mendojnë se i kanë bërë në një mënyrë të fshehtë, por njerëzit flasin dhe unë kam fakte konkrete. Unë kam bërë për një muaj natën dhe ditën fushatë në Kamëz dhe Paskuqan. Kam bërë fushatë në Shkodër, kam bërë fushatë në Pogradec, kam lëvizur në Kukës dhe në Dibër dhe Mat, kështu që nuk jam njeri pa informacion, sepse jam shumë jetëgjatë në PD”, thotë Gjana.

Exit mobile version