Hashim Thaçi ka rrëfyer një moment nga takimi me President rus Putin ku ka biseduar për marrëveshjen me Serbinë. Ai tha se Putin i kishte dhënë garanci se do të pranonte marrëveshjen që do të dilte nga bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë.
“E kam pyetur në takimin kokë më kokë që kisha nëse do të pranonte mrrëvshjen në Këshillin e Sigurimit dhe ai ma pohoi”, tha Thaçi duke harruar të tregojë se cila është ajo marrëveshje që do ta pranonte Putini që Thaçi e di, por që shqiptarët nuk e dinë.
Cili ka qenë roli i Edi Ramës në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe sidomos në idenë e ndryshimit të kufijve? Kësaj pyetjeje i janë dhënë përgjigje të shumta dhe po kaq të shumta janë edhe raportimet se kryeministri shqiptar ka lëvizur për shumë kohë në prapaskenë në këtë çështje.
Ai që e mënjanon nga të gjitha akuzat është Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Në intervistën e tij për emisionin “Opinion”, Thaçi nuk i kurseu elozhet për qëndrimin që ka mbajtur Rama.
“Roli i Ramës ka qenë shumë konstruktiv, shumë bashkëpunues, pa marrë anë dhe pa interferuar. Shkoi në Beograd dhe foli si asnjëherë një lider shqiptar, burrështetas që i tha në sy Vuçiçit që të njohë Kosovën.
Ai nuk ka marrë pjesë në takime mes nesh dhe Serbisë, thjesht ka mbështetur pozicionin e Kosovës. Sa i përket takimit të Ramës në Serbi, unë nuk kam qenë aty, por besoj në atë që ka thënë në konferencën për shtyp që ka mbrojtur Kosovën.
Nuk e di në ka folur me Vuçiçin. Nuk më ka thënë gjë. Kemi folur gjerë e gjatë bashkë për gjetjen e një marrëveshjeje” – tha Thaçi duke mos i kursyer fjalët e mira për të parin e qeverisë së Tiranës. Mesa duket Thaçi i “ktheu borxhin” Ramës që pak kohë më parë i quajti “gomarë” ata që e akuzonin Thaçin si tradhtar.
Intervista në “Opinion” nxori në pah edhe linjën e krahut Thaçi – Rama. Duket se tashmë Kryeministri shqiptar dhe Presidenti i Kosovës kanë hedhur pas krahëve edhe përplasjet e vitit 2016. Në atë kohë Prishtina nuk e shihte me sy të mirë afrimin e Ramës me Vuçiçin. E fortë në atë kohë ishte deklarata e ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj që i kërkoi Ramës të mos fliste në emër të Kosovës.