“Gjatë qeverisjes së PS krimi dhe korrupsioni mori përmasa të frikshme”/ Elezi: Ja programi i PD për rendin dhe sigurinë publike

Gjatë fjalës së tij në Kuvendin Programor të PD, anëtari i kryesisë, Myzafer Elezi, u shpreh se gjatë qeverisjes së PS krimi dhe korrupsioni morën përmasa të frikshme, ndërsa siguria publike u cënua ndjeshëm.

“Qeveria e Partisë Demokratike do të bëjë transformimin rrënjësior të policimit publik, duke prerë lidhje e krimit me politikën, si dhe duke modernizuar kapacitetet për përmirësimin e standardeve të sigurisë së qytetarëve.” – u shpreh më tej Elezi.

Më poshtë fjala e plotë:

RENDI DHE SIGURIA PUBLIKE

Gjatë qeverisjes aktuale krimi dhe korrupsioni kanë marrë përmasa të frikshme, siguria publike është cënuar ndjeshëm, dhe territori kontrollohet nga grupet kriminale.
Qeveria e Partisë Demokratike do të bëjë transformimin rrënjësior të policimit publik, duke prerë lidhje e krimit me politikën, si dhe duke modernizuar kapacitetet për përmirësimin e standardeve të sigurisë së qytetarëve.
Programi i Partisë Demokratike për sigurinë publike përfshin:
1. Reformimin e strukturës së Policisë së Shtetit në përshtatje me situatën e kriminalitetit në vend, me fokus kontrollin e plotë të territorit.

2. Pastrimin e Policisë së Shtetit nga personat me lidhje kriminale, nëpërmjet një procesi ligjor, transparent dhe të besueshëm.

3. Pa asnjë dyshim, angazhimi më i madh dhe pika e kthesës për rivendosjen e rendit dhe sigurisë, luftën kundër krimit të organizuar dhe garantimin e jetës dhe shëndetit të shtetasve, do të jetë themelimi i Xhandarmërisë Kombëtare me kapacitete të plota tokësore, ajrore dhe detare.

Xhandarmëria Kombëtare, si një forcë elitë e specializuar, e përbërë prej 1000 efektivë do të këtë në fokus të saj:

• luftën kundër krimit,
• ruajtjen e rendit dhe sigurinë publike,
• ndërhyrjen në operacionet kundër Akteve Terroriste,
• angazhimin në rastet e Emergjencave Natyrore, si dhe
• mbështetjen e Forcave të Armatosura në raste të operacioneve ushtarake.

4. Partia Demokratike angazhohet të përmirësojë trajtimin financiar të punonjësve të rendit dhe sigurisë, duke rritur pagën në masën 50 %, si dhe duke shtuar masën adekuate financiare për përfshirjen në operacione të veçanta dhe shërbime jashtë qendrave të banimit, në përputhje me indeksin e rritjes së inflacionit.

Reformat e Qeverisë së Partisë Demokratike në fushën e sigurisë publike, do të rrisin besueshmërinë dhe efektivitetin e policisë në shërbimin ndaj qytetarëve, si dhe do të garantojnë rend dhe siguri në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Ju faleminderit.

Artikulli paraprakBasha poston videon me momentet nga Kuvendi: Shqipëria mund të bëhet nëse do kishte një qeverisje të re
Artikulli tjetërDeklaratat e SHBA dhe BE për rezolutën e PS, reagon Kulluri: Nisma përmban qëllime të dyshimta dhe kërcënuese për institucionet e drejtësisë