Gjelbërimi dhe ajri i pastër, luksi që i përket të pasurve

Nga Jona Plumbi dhe Atdhe Mulla/ FAKTOJE.AL

Një qytetari normalisht i duhen 25 metra katror banesë, por sot në Tiranë po ndërtohet rreth 145 metra katror për çdo banor të ri, ose 6 herë më shumë. Në anën tjetër, një banori i duhen 2.3 metra gjelbërim. Ky parametër “respektohet” nga ndërtuesit, vetëm se për ta aksesuar qytetarët supozohet të shkojnë në Dajt.
Ndertesat Tirana 010
Pavarësisht planeve dhe rregulloreve të miratuara, ndërtimet në kryeqytet nuk kanë të ndalur. Gjatë pesë viteve të fundit sipërfaqja e banesave të ndërtuara për cdo banor të ri llogaritet rreth 145 metër katror. Në anën tjetër, sipërfaqja e gjelbërt për banor, që duhet të jetë 2.3 metër katror, sipas ekspertëve në Tiranë llogaritet të jetë vetëm 0.2 – 0.3 metër katror.
Më “fatkeqët” duket se janë ata kryeqytetas që një ditë zbulojnë se përpara pallatit të tyre do të ndërtohet një tjeter objekt që i zë dritën, i ngushton trotuarin apo i zhduk lulishten poshtë pallatit të tyre.

“Fëmijët po i rrisim brenda, pa dritë, pa ajër dhe pa hapësira ku mund të luajnë me njëri -tjetrin.”

Bora tregon se për të dhe fëmijët e saj nuk ka më qetësi as brenda katër mureve të shtëpisë. Prej një muaji dritaret e shtëpisë në katin e 9-të të pallatit ku jeton pranë zonës së Myslym Shyrit janë të mbyllura. Me ndërtimin e pallatit të ri, këto dritare do të vijojnë të jenë të mbyllura, tregon Bora e dorëzuar përpara faktit se pak hapa larg tyre po “mbin” një tjetër pallat.

“Tani jo vetëm nuk do ketë më qarkullim ajri, por edhe orët me dritë do të reduktohen në minimum. Përveç kësaj, shpresa që ndonjë nga hapësirat e mbetura të lagjes të kthehet në lulishte ku të nxjerrim femijet ështe zhdukur me kohë.”

Arkitekti dhe urbanisti Artan Kacani shpjegon se Tirana po zhvillohet në ritmet e një qyteti industrial.

“Për 30 vite ne jemi shkëputur nga urbanistika klasike e nevojës urbane dhe kemi shkuar drejt urbanistikës së grupeve të interesit. Në vende të ndryshme perëndimore, nevoja e lagjes dhe interesi i zhvillimoreve janë në ekuilibër peshoreje. Tek ne kanë prioritet grupet e interesit.” – argumenton Kacani.

Imeldi Sokoli, planifikues urban na shpjegon se normalisht në qendra urbane një banori i duhet mesatarisht 25 metër katror banesë, si dhe 25 metra katrorë hapsirë për aktivitetet e përditshme si zonat e gjelbra, hapsira për parkim, hapsira sportive etj…
Por sipas një përllogaritje të bërë nga Faktoje, shifrat e INSTAT tregojnë se në 5 vitet e fundit mesatarja e ndërtimeve për banesa të reja llogaritet rreth 145 metra katror për cdo banor të ri. Pra sot në Tiranë një banor i ri ka 6 herë më shumë siperfaqe ndërtimi sesa i duhet.

Një tjetër koefiçent që duhet zbatuar është ai për hapsirën e gjelbër, që është 2.3 metër katror për banor. Por sot Tirana sipas arkitetit Artan Kacani llogarit 0.2 – 0.3 metër katror hapsirë të gjelbër.

“Ajo që bëjnë” – tregon urbanisti Imeldi Sokoli – “është që llogarisin Dajtin, që është park kombëtar, si pjesë e gjelbër e Tiranës. Ndërkohë që këto hapsira duhet ti shërbejnë në mënyrë imediate dhe të ngushtë banorëve.”

“Hilet dhe Hijet“ e ndërtuesve…

Planifikimi urban ka disa parametra që duhen ruajtur.

I pari është komponenti i intensitetit që tregon sasinë e metrave katrorë që të duhen për të ndërtuar në një parcelë të caktuar. Kjo është e shprehur në kate. I dyti është koefiçenti i shfrytëzimit të territorit, që lidhet me sa mund të ndërtohet në katin e parë, i cili përcaktohet në rregulloren e planit të përgjithshëm vendor të Tiranës.

Leja e zhvillimit të territorit, sipas rregullores së Bashkisë së kryeqytetit parashikon edhe distancat mes ndërtesave, si dhe distancën e objektit nga rruga.
Ndër të tjera kjo rregullore pëcakton se “distancat duhet të mos cënojnë lirinë e përdorimit të pronës, të krijojnë hapësira publike dhe funksionale të nevojshme për shërbimet ndaj komunitetit…”

Imeld Sokoli, planifikues Urban sqaron për Faktoje se Bashkia e Tiranës e ka Planin e Zhvillimit por problemi qëndron tek zbatimi. “Ne nuk e zbatojmë planin. Një parametër ose tjetri përherë shmanget, sic është edhe rasti i sasisë së shfrytëzimit të territorit.” – tregon ai.

“Ky koefiçent në Tiranë mund të lejohet të shkojë deri në 70%, por ne shpesh e shohim të zbatuar edhe 100% apo 110%. Kjo ndodh kur katin e parë e bën më të vogël dhe në katin e dytë e shton volumin.” – përfundon Sokoli.

Arkitekti dhe urbanisti Artan Kacani sqaron se mbivendosja urbanistike reflektohet tek planet rregulluese.

“Jo më kot në 30 vite Tirana ka hartuar 6-7 plane rregulluese, sepse tejkalohen koeficentët e ndërtimit në zona të ndryshme dhe aty lind nevoja për të riformatuar edhe njëherë planin zhvillimor me kode të reja urbane.”

Lulishtja e ”fundit”

Në lagjen e Kombinatit në Tiranë, po zhvillohet beteja më e fundit mes banorëve të revoltuar për zhdukjen e lulishteve publike dhe Bashkisë e cila ka dhënë një leje ndërtimi në mes të saj.

Mateo Kapo ka lidhur dhe është rritur në këtë lagje dhe na tregon sesi hapsirat publike dhe lulishtet janë zhdukur një nga një. Kjo është lulishtja e fundit ku të moshuarit pushojnë dhe fëmijët luajnë.

“E mbaj mend si sot kur ka ardhur Edi Rama, atëherë kryetar bashkie dhe na tha ‘parkun ta gëzoni!’ Sot kta po i falen zotit 100 herë e thonë shyqyr që ra ai tërmeti që u bë sebep të shemben disa pallate.”

Mateo na tregon se pranë lulishtes bashkia prishi një pallat me justifikimin se dëmtimi nga tërmeti i 2019-ës e bënte më të kushtueshëm riparimin e tij sesa ndërtimin nga e para.

“Kur banorët kërkuan të rindërtohet pallati në të njëjtin vend bashkia u tha se kjo ishte e pamundur pasi toka është gjeologjikisht e papërshtatshme për ndërtim. Ndërsa sot kësaj lulishteje i kanë dalë pronarët dhe është dhënë leje për ndërtim.”

E ndërsa banorët e kombinatit vijojnë betejën e tyre, të tjerë qytetarë në Tiranë janë gjendur përpara faktit të kryer, ku lagjet i janë shndërruar në hapsira të saturuara me godina për banesa apo zyra ndërtuar pa kriter dhe pa marrë parasysh nevojat e komunitetit për trotuare, lulishte, apo shkolla, kopshte dhe çerdhe.

Exit mobile version