Gjen vdekjen minatori në Bulqizë, e zë poshtë masivi i gurëve

Një minator humbi jetën gjatë punës në minierën e Bulqizës. Eris Keta, 30 vjeç po punonte në galeritë e zonës D të minierës në kohën kur një masiv gurësh është shembur dhe e ka zënë poshtë. Ai është nxjerrë në sipërfaqe nga minatorët e tjerë që ndodheshin në të njëjtën galeri dhe fatmirësisht nuk morën lëndime.
Në gjendje të rëndë, minatori Eris Keta është nisur me urgjencë drejt spitalit të Bulqizës, nga ku mësohet se mbërriti i pajetë. Burimet nga spitali thanë se, ai kishte marrë fraktura të rënda në trup, të cilave nuk ka arritur t’u mbijetojë. Ndërkohë pranë minierës mbërritën forcat e policisë që nisën veprimet hetimore për të zbardhur shkakun e incidentit në galeri.
Situata në minierë u inspektua nga specialistët e RISHM-it dhe ata të Inspektoriatit të Punës. Në 6 muajt e fundit, në galeritë e Bulqizës janë shënuar katër aksidente me viktima. Minatori Eris Keta mësohet se ishte i siguruar nga subjekti privat që administron minierën.

Exit mobile version