Gjenden trupat e dy peshkatarëve të mbytur

Trupat e dy peshkatarëve, të cilët kishin dalë për të peshkuar prej mbrëmjes së të dielës në grykëderdhjen e Vjosës, u gjetën të mbytur ditën e djeshme në zonën e Delisufit. Viktimat janë Lorenc Doko 32 vjeç dhe Elson Kerri 27 vjeç. Prej orës 19:00 të së dielës, ata kishin humbur kontaktet me familjarët. Disa orë më vonë të afërmit e dy peshkatarëve kërkuan ndihmën e policisë për gjetjen e tyre.
Njësitë e Delta Force dhe Policia Kufitare, nisën kërkimet për gjetjen e trupave. Kërkimet vijuan për gjatë gjithë natës së të dielës, duke u gdhirë dita e hënë, por pa rezultat. Në ndihmë të aksionit u përfshinë edhe polumbarët e RENEA-s. Fillimisht, zhytësit gjetën trupin e Elson Kerrit nga fshati Delisuf, ndërsa disa orë më vonë, u gjet edhe shoku i tij, Lorenc Doko.
Dy të mbyturit, kishin dalë për peshkim me një varkë me lopata, e cila dyshohet se është mbushur me ujë ose është përmbysur. Sipas hetuesve ngjarja ka ndodhur në det rreth 3 milje larg grykëderdhjes së Vjosës.

Exit mobile version