Gjendet i vrarë në makinë taksisti i zhdukur në Durrës

Një taksist i zhdukur në Durrës që prej mbrëmjes së mërkurë është gjetur i vdekur brenda makinës së tij në Kavajë. Ishin familjarët e tij, ata që bënë kallëzim në Polici për zhdukjen e 53- vjeçarit Faik Fezgaj dhe pas kërkimeve të shumta, ai u gjet i vdekur në makinë. Banorë të zonës njoftuan dje policinë se, kishin parë një makinë të përmbysur në një kanal mes Kavajës dhe Rrogozhinës, në Komunën Gosë.
Makina është nxjerrë nga kanali 4 metër i thellë, ndërsa brenda saj u gjet trupi i pajetë i Faik Fezgajt që ishte në timon. Burime nga policia konfirmuan se, bëhet fjalë për taksistin e zhdukur. Nga hetimet paraprake dyshohet se bëhet fjalë për një ngjarje kriminale.
Burimet e policisë bënë të ditur se fillimisht u gjet mes Kavajës dhe Rrogozhinës mjeti i përmbysur në një kanal, dhe më vonë u gjet edhe trupi i pajetë i shoferit. Policia bëri të ditur se, në vijim priten të tjera detaje për të sqaruar nëse është vrasje apo aksident me pasojë vdekjen.
Në një njoftim për mediat, Policia e Durrësit bëri të ditur se, po punohet për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje. “Rreth orës 09:44, në fshatin Vil Bashtovë, nga shërbimet e Policisë Rrogozhinë, është vënë re një mjet në brendësi të një kanali me ujë. Menjëherë është bërë sigurimi i vendit të ngjarjes dhe nxjerrja e automjetit nga uji, ku në brendësi të mjetit në vendin e drejtuesit, ndodhet trupi i pajetë i një mashkulli. Grupi hetimor në vendin e ngjarjes ka bërë të mundur identifikimin e drejtuesit të automjetit, shtetasi F. F., 53 vjeç dhe automjetit tip “Mercedes Benz”, me targë DR 443 A, të raportuar të zhdukur nga D.V.P. Durrës. Po punohet për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje”, thuhet në njoftimin e policisë.

Alarmi i familjes

Familjarët e 53-vjeçarit Faik Fezgaj kanë bërë kallëzim të mërkurën në mbrëmje rreth orës 21:30 në Komisariatin e Policisë Durrës. 53-vjeçari, i cili gjithë jetën kishte punuar taksist dhe ishte i licencuar kishte dalë në punë normalisht si çdo ditë. Rreth orës 18:45 kishte folur me vajzën e tij në telefon dhe i kishte thënë se po kthehej në shtëpi. Por, pavarësisht se familja ka pritur gjatë, ai nuk ka shkuar dhe madje nuk është përgjigjur më në telefon. Pas kësaj gruaja, dy vajzat dhe dhëndri i tij kanë shkuar në polici, ku kanë bërë denoncimin.
Mësohet se taksisti që punonte me një automjet tip “Benz” ngjyrë blu me targa DR 443 A ka pasur me vete lekët e mbledhura nga puna e ditës së mërkurë. “Kemi bërë denoncimin dhe dy vajzat dhe gruaja janë në gjendje shumë të keqe. Kemi frikë mos e kanë rrëmbyer”, tha dhëndri i 53-vjeçarit.

Dëshmitë

Policia ka marrë në pyetje kolegët e taksistit që u gjet i vdekur për të mësuar më shumë rreth orëve të fundit të tij në punë. Taksitët e marrë në pyetje kanë deklaruar se, ka qenë errësirë dhe nuk e kanë parë klientin që ka hipur në taksinë e 53-vjeçarit Faik Fezgaj për herë të fundit.
Kolegët e tij taksistë shprehen se, Fezgajt kishte rënë më parë dy herë pre e grabitjeve. Ata pohojnë se kanë frikë për fatin e shokut të tyre, pasi nuk e kanë parë që prej mbrëmjes së djeshme. Nga dëshmitë e familjarëve të 53-vjeçarit, ai kishte dalë si gjithmonë për punë dhe nuk ishte kthyer më në shtëpi.
Ky rast është ende nën hetimin e policisë, pasi nuk dihet nëse ngjarja është aksidentale apo kriminale. Ndërkohë, një ngjarje e rëndë ndodhi në muajin dhjetor në Kavajë, ku një taksist u mor peng e më pas u vra nga një përdorues lëndësh narkotike.

R.POLISI

Artikulli paraprakDy të vdekur, 3 të plagosur në dy aksidente në Tiranë
Artikulli tjetërGuardia nxjerr bllof Tahirin për kapjen e 510 kg drogë në Leçe