Gjendet një trup i pajetë, në Fier dyshohet se është vrarë

Një trup i pajetë është gjetur rastësisht në fshatin Daullas të Fierit, nga një prej banorëve të zonës, i cili ka njoftuar menjëherë autoritetet. Bëhet e ditur se nga ekspertiza e parë të trupit të viktimës i seksit mashkull me moshë rreth 30-35 vjeç dhe dyshimet janë se kemi të bëjmë me një ngjarje që mund të ketë ndodhur rreth një vit më parë, duke parë dhe shkallën e dekompozimit të trupit.
Dyshohet gjithashtu se kufoma mund të ketë qenë viktima e një vrasje, pasi trupi i pajetë ka qenë i groposur, një shenjë që tregon se dikush e ka bërë këtë gjë për të mbuluar gjurmët. Kufoma u gjet e mbështjellë me batanije. Tashmë pritet që autopsia të hedhë më shumë dritë mbi këtë ngjarje misterioze. Deri më tani, viktima nuk është identifikuar ende.
Ka qenë një hetim disa mujor i Policisë së Fierit që ka çuar në zbulimin e trupit të dekompozuar në një kanal në rrugën që të çon në këtë fshat të Fierit.

Mësohet se hetimet janë kryer për zbulimin e vendndodhjes së personave që janë denoncuar nga familjarët si të zhdukur. Në këtë rast, bazuar në informacione operative, ka pasur dyshime se një person i denoncuar nga familjarët si i zhdukur në muajin qershor të vitit të kaluar mund të ishte vrarë.
Mësohet se falë hetimeve speciale janë siguruar të dhëna për vendndodhjen e mundshme të eshtrave të një personi të zhdukur rreth 9 muaj më parë, që mendohet të jetë i seksit mashkull, rreth 34-35 vjeç. Gjithashtu, mësohet se gjatë dy ditëve të fundit janë shoqëruar persona që mund të kenë dijeni mbi ngjarjen si edhe një person që mund të jetë i përfshirë në të.
Eshtrat gjendeshin të mbështjella me një batanije dhe brenda kanalit u gjet edhe një valixhe. Nga këqyrja paraprake dyshohet se viktima është qëlluar me mjete prerëse dhe trupi mund të jetë gjymtuar. Eshtrat janë gjetur në disa pjesë të kanalit dhe tashmë pritet që policia të dalë edhe në versionin e plotë të ngjarjes.

 

Exit mobile version