Menjëherë pas shkarkimit anti-kushtetues të kreut të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Hajdarmataj është gjetur edhe personi i cili do të zbatojë urdhërin politik për të plotësuar letrat dhe lëshuar mandat arrestin për ish-Kryeprokurorin me akuza qesharake të një toke të blerë në fshat të Tiranës 14 vite më parë dhe të rivlerësuar kohët e fundit ku rezulton që vlera e tokës të jetë shumfishuar si kudo tjetër në Tiranë.
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka regjistruar dosjen në ngarkim të ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla.
Dosja e Llallës ka kaluar në duart e prokurorit Klodian Braho.
Braho duket se do jetë prokurori që do ketë në dorë fatin e ish-kreut të organit të akuzës, njëherazi një nga ish-kokat e drejtësisë që ka dalë nga sistemi duke mos iu nënshtruar procesit të Vettingut.
Prokurori Braho po zhvillon hetimet për 4 akuza që rëndojnë mbi Llallën, siç është ajo e “fshehjes së pasurisë”, “mosdeklarimit të të hollave në kufi”, “pastrim parash” dhe “shpërdorim detyre”.
Më 16 maj, ish-kryeprokurori Adriatik Llalla, pritet të dalë para Kolegjit të Pavarur të Apelimit, për të shqyrtuar dhe njëherë vendimi për daljen e Llallës nga sistemi dhe për të mos kaluar në Vetting.
Investigimi qesharak i BIRN, akuzon Llallën për rivlerësim prone dhe një tender 5.2 milionë lekë
Një investigim përtej qesharakes mund të konsiderohet ai i agjencisë së lajmeve BIRN në lidhje me ish-Kryeprokurorin Llalla. Sipas një shkrimi në këtë portal, Llalla dyshohet për korrupsion sepse i ka dhënë një tender prej 5.2 milionë lekësh një kompanie për të bërë një kafe në katin e 5 të institucionit të Prokurorisë. A e beson kush këtë insinuatë, që të dyshosh për vjedhje në shuma të tilla qesharake në një kohë që qeveria, kreu i saj dhe ministrat po bëjnë kërdinë me miliardat e taksapaguesve dhe kjo agjenci pro-qeveritare hesht?
Dyshimet tjetër që lidhet me Llallën sipas kësaj agjencie ka të bëjë me rivlerësimin e një toke që Llalla paska blerë në një fshat të Tiranës.
Të konsiderosh rivlerësimin e pronës si akt korruptiv do të thotë të paktën të akuzosh për korrupsion rreth 1 milionë shqiptarë që kanë bërë rivlerësime të pronave të tyre duke nisur nga apartamentet e banesat apo dyqanet e tokat. Eshtë normale që toka që është blerë në vitin 2007 në një fshat të Tiranës të ketë pasur vlerë shumë herë më të vogël se në kohën kur është bërë rivlerësimi në 2016.
Kjo ka ndodhur me çdo pronë në Tiranë dhe ka qenë dhe është një proces ligjor me afate të vendosura nga qeveria. Mos vallë në bazë të këtij preçedenti doni të fusni në burg çerekun e shqiptarëve? A mund të ketë akuzë më qesharake se të akuzosh për korrupsion një individ pse ka bërë rivlerësim prone dhe aq më tepër se përse vlera e tokës në atë zonë që është blerë 13 vite më parë të jetë shumfishuar sot në një kohë që ajo ka marrë shumë herë më tepër zhvillim?
Aq më tepër historia bëhet qesharake kur mëson nga shkrimi; se për këto akuza është ngritur në këmbë edhe Prokuroria. Nëse e keni ndarë mendjen të akuzoni dhe burgosni Lllallën me urdhër nga lart si “peshk të madh” bëjeni, se e keni në dorë në drejtësinë, por bëjeni me akuza serioze dhe jo me akuza qesharake, në të kundërt nëse doni të ktheni në preçedent burgosjen për rivlerësim prone, atëhere mendoni të ndërtoni nja dhjetë qytete me burgje ku të fusni më shumë se çerekun e popullsisë.
Shkrimi i plotë i BIRN
Ish-kryeprokurori Llalla mohoi të kishte lidhje me tenderin e fituar nga kompania LIM-EM në Prokurorinë e Përgjithshme, por kontrata e siguruar nga BIRN tregon se ai e ka firmosur vetë atë. Dy muaj pas ngjitjes në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, në shkurt të vitit 2013, Adriatik Llalla urdhëroi nisjen e procedurave të tenderit për ndërtimin e një bar-kafeje në katin e pestë të institucionit që drejtonte.
Dokumentet e siguruara nga BIRN përmes një kërkese për të drejtë informimi tregojnë se procedurat e tenderit me fond limit 5.9 milionë lekë kanë zgjatur thuajse 1 muaj dhe në fund të tyre u shpall fituese kompania LIM-EM sh.p.k e themeluar nga biznesmeni Shkëlqim Beshiri.
Kontrata mes Prokurorisë së Përgjithshme dhe kompanisë LIM-EM është firmosur më 18 prill 2013 nga ish-kryeprokurori Adriatik Llalla dhe përfaqësuesi i kompanisë, Shkëlqim Beshiri. Sipas saj, kompania merrte përsipër të kryente punimet brenda 28 ditëve me një çmim total prej 5.2 milionë lekëve.
Kontrata për ndërtimin e lokalit në katin e pestë të Prokurorisë së Përgjithshme nuk është marrëveshja e vetme e firmosur mes Adriatik Llallës dhe Shkëlqim Beshirit.
Në qershor 2016, kompania LIM-EM e Beshirit u bë një burim i rëndësishëm të ardhurash për ish-Prokurorin e Përgjithshëm, pasi i bleu atij një sipërfaqe toke prej 3 mijë metrash katrorë tokë në Mjull Bathore për një çmim total prej 249 mijë eurosh.
Sipas kontratës noteriale të cilën BIRN e disponon, Llalla ia kishte blerë këtë tokë Eduart [Edison] Dushkut në vitin 2007 për vetëm 1.5 milionë lekë. Dushku është një personazh i njohur në zonën e Saukut dhe me një skedë të larmishme kriminale, mes të cilave edhe një dënim për vrasje.
Katër vjet pasi ia bleu tokën Dushkut për 1.5 milionë lekë, Llalla e rivlerëson atë në 21 milionë lekë ose 14 herë më të lartë se çmimi i blerjes, para se t’ia shiste kompanisë LIM-EM për 249 mijë euro.
Në një investigim të mëparshëm, BIRN zbuloi se rivlerësimi i pasurisë rezulton të jetë një praktikë rutinë e ish-prokurorit, përmes së cilës ai ia doli të transformojë investime prej 16.3 milionë lekësh në blerjen e tokave në një kapital prej rreth 1 milionë eurosh.
Transaksionet multimilionëshe të ish-kreut të Prokurorisë, mes të cilave edhe kontrata e dyshuar për konflikt interesi me kompaninë LIM-EM janë bërë objekt i një procedimi penal të regjistruar më 15 mars nga Prokuroria e Durrësit kundër Llallës.
BIRN mësoi se çështja ndodhet aktualisht në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila po e heton gjithashtu Llallën për veprat penale të “deklarimit të rremë të pasurisë”, “mosdeklarimit të shumës së të hollave në kufi” dhe “shpërdorimit të detyrës”.
Më herët, BIRN e pyeti ish-prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla për lidhjet e tij me biznesmenin Beshiri si dhe nëse kishte qenë në kushtet e konfliktit të interesit kur përfitoi 249 mijë euro nga kompania LIM-EM.
Ndonëse rezulton ta ketë firmosur vetë kontratën me Beshirin për ndërtimin e lokalit në Prokurorinë e Përgjithshme, Llalla mohoi të kishte dijeni për procedurat e tenderit në një bisedë telefonike me BIRN.
“Nuk jam unë në konflikt interesi, nuk është prokurori ai që merret me tenderat. Ka sekretar të përgjithshëm, ka drejtues administrativ. Nuk merret Prokurori me atë pjesë,” tha Llalla përmes telefonit.
Ish-kryeprokurori Llalla e cilësoi blerjen e tokës për 1.5 milionë lekë dhe shitjen e saj për 249 mijë euro totalisht të ligjshme dhe e shpjegon rritjen e vlerës së saj me hovin e zhvillimit që mori pas vitit 2007 zona rreth qendrës tregtare TEG.
“Toka u ble në vitin 2007. Ishte një zonë e pazhvilluar. Fillimet e ndërtimit të komplekseve rezidenciale e rritën kërkesën dhe interesin për të,” tha Llalla për BIRN.
Në intervistën me BIRN, Llalla e përshkroi marrëdhënien e tij me biznesmenin Beshiri me atë të dy personave të interesuar për të arritur një marrëveshje për 3 mijë metrat katrorë në Mjull Bathore.
“Ai ishte një biznesmen që kishte interes aty. Mbaj mend që zoti Beshiri ishte i interesuar bashkë me një ndërtues tjetër për të ndërtuar komplekse rezidenciale dhe bashkëortaku i tij ka marrë me kredi një sipërfaqe shumë të madhe toke. Bëhet fjalë për pronarin e Lion Parkut,” tha Llalla.
Pas sigurimit të kontratës së tenderit në Prokurori, BIRN përsëriti pyetjen për Llallën, por nuk mori përgjigje.