Enver Bytyçi
Në vitin 1998-1999 profesori shqiptar në SHBA, Miftar Spahija solli në shtëpinë time botuese “Koha” të botojë romanin “Hasimja” me 1200 faqe. Punova vetë disa kohë me këtë roman, jo vetëm e lexova, por edhe u mora pjesërisht edhe me redaktimin e korrektimin. Më bëri përshtypje dialekti lumjan me të cilin është shkruar ky roman nga ana e Prof. Miftar Spahisë. Por mbi të gjitha fjalori aq i pasur në gegërishten lumjançe.
Nga një studim i sipërfaqshëm më doli se mbi 2000 fjalë dialektore nuk i kishte Fjalori i Gjuhës Shqipe i hartuar nga dhjetëra akademikë dhe i botuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë në kohën e diktaturës. Aftësia e përdorimit të kaq shumë fjalëve të reja të papërdorura e të panjohura nga gjuhësia shqiptare është e e autorit Miftar Spahija.
Por nga ky fakt duhen veçuar dy aksioma:
1. Së pari se gegënishtja është një e folme e atyre që shkenca antropologjike i konsideron “Gjigante”, pra e gegëve dhe se kjo e folme është origjinale, e pastër, e pasur, e trashëguar që nga pellazgjikja. Kjo do të thotë se gegënishtja është gjuha e parë në Ballkan dhe në Europë, madje siç thotë Aref, gjuha me të cilën ka folur Zeusi, është gjuha e kohës së atlantëve.
2. Prej këtej rrjedh idiotësia se si vetë ne shqiptarët nën trysninë e diktaturës komuniste e tjetërsuam këtë vlerë, këtë gjuhë të papërsëritshme në historinë e kombeve. Se si ne vetë kryem një akt “genocidi” gjuhësor, por kundër vetvetes, kundër qenies sonë, kundër identitetit tonë, kundër tiparit tonë më dallues e më krenues!
Për më tepër më bën përshtypje se pse shkenca albanologjike nuk dëshiron të ngrihet mbi veten e ta pranojë fajin ideologjik të kurorëzuar në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972. Akoma më shumë është rast sui generis fakti që gjuhëtarët dhe shkenctarët e albanologët e Kosovës ku është lëvruar gegënishtja heshtin e madje e mbrojnë atë kongres famëkeq që i hoqi bazën shkencore dhe identitare të formimit të gjuhës shqipe përmes gegënishtes!
Madje ka prej tyre që ngrejnë në piedestal “unifikimin” e atij Kongresi famëkeq, që shkatërroi bazat e identitetit tonë kombëtar! Të heqësh nga përdorimi, madje ta injorosh edhe në rrafshin e studimeve shkencore gjuhën e Homerit të shekullit VII-VIII para Krishtit, është më shumë sesa krim kombëtar!
Hija e diktatorit dhe e diktaturës, hija e Kongresit kriminal në kulturën shqiptare të Drejtshkrimit të vitit 1972, i ndjek pas të gjithë gjuhëtarët dhe albanologët shqiptarë! Shans i madh që merren me studimin e gegënishtes shkencëtarët e huaj dhe na kujtojnë se “Na ishte njëherë një gjuhë, e cila flitej para lashtësisë dhe kjo është gegënishtja”!