Biznesmeni Gjergj Luca ka lëshuar kritika të forta këtë të Shtunë ndaj fermerëve të Myzeqesë të cilët kanë protestuar duke kundërshtuar paketën fiskale dhe janë shprehur se janë lënë pasdore nga qeveria.
Në një fjalim të mbajtur në prezantimin e buxhetit 2022 për peshkimin, ku të pranishëm ishin dhe Ministrja e Bujqësisë Frida Krfica dhe kryeministri Edi Rama, Luca foli pjesën më të madhe të kohës për protestën e fermerëve, se sa për çështjet e peshkimit.
Ai tha se fermerët që kanë protestuar janë manipuluar, ndërsa përdori përshkrimin “e turpshme” kur foli për protestën e tyre. Sipas biznesmenit, që njihet si i afërt me kryeministrin Edi Rama, fermerët duhet të falënderojnë qeverinë për mbështetjen që u ka dhënë.
“…Ne duhet të paguajmë të paguajmë pjesën tonë sepse ne jemi formalizuar. E njëjta gjë është sot me Bujqësinë që dalin sot në rrugë dhe gërthasin hiqni ‘TVSH-në’. TVSH-ja është një taksë e mbartur që në finale ajo shkarkohet. Pra, TVSH-ja nuk është taksë. TVSH është një taksë që e paguan konsumatori dhe mu më vjen shumë keq për kolegët e Bujqësisë që dalin në rrugë mbasi kanë marrë një sponsorizim nga shteti shqiptar dhe një mbështetje rreth 200 milionë euro për katër vjet, të dalin në rrugë dhe të thonë, të flasin për TVSH-në… Cila TVSH? Ne të gjithë bëjnë vetëfaturim. Fshatari bën vetëfaturim. Cili iu ka ardhur ju në barka, cili ka shku në fermë, cili ka shku në stallë, cili ka shku në këto kapanonet që bëjnë dhe i ka thënë vetëfaturo kët dhe e ka kontrollu. Cili? Ne të gjithë kemi vetëfaturu atë mall që kemi. Atëherë ka komoditet më të madh për ne dhe për fermerët që ne vetëfaturojmë veten? Atëherë magazinat që e blejnë dhe unë jam një ndër magazinat, ne duhet të demonstrojmë që duhet të paguajmë në shtet TVSH-në e prodhimit të që vetëfaturojnë fermerët, vetëfaturojnë anijet. Atëherë problemin e keni me grosistat, e keni me magazinat. Mund ta keni me mu që jam grosist i madh, mund ta keni me Malin, mund ta keni me Besimin, nuk e keni me shtetin”, u shpreh Luca, i akuzuar nga Partia Demokratike si i përfshirën blerjen e votave në zgjedhjet e fundit parlamentare, në favor të qeverisë.
“Dhe ata njerëz që dalin në rrugë dhe nuk thonë faleminderit 200 milioni i është dhënë bujqësisë dhe ne është viti i parë që shofim gjithë këtë arritje dhe asnjë nuk del me e përmend 200 milionë për katër vjet dhe dalin qisin 10 barbuna atje, që është turp për TVSH-në, që nuk e mban as ferma, as fshatari, as sera asnjsëend. Dhe kjo është e turpshme. Të merren me njerëzit që punojnë gjithë ditën, ti manipulojnë, ti qisin në rrugë është e turpshme”, shtoi ai më tej.