Anëtari i këshillit bashkiak Vlorë Gjergj Nika, njëkohësisht edhe kandidat i Koalicionit Euroatlantik për zgjedhjet e 11 majit, ka reaguar për shkeljet e kryera nga Bashkia dhe këshilltarët socialistë gjatë mbledhjes të sotme të organeve vendore.
Sipas Nikës, me forcën e kartonit, janë miratuar ndryshime në buxhetin e vitit 2025 në shkelje flagrante me Kodin Zgjedhor. Nika sqaron se këshilltarët opozitarë kërkojnë më shumë përkushtim dhe më shumë investime për qytetin, por nuk mund të pranojnë arrogancën dhe shkeljet e ligjit.
Qëndrimi i Gjergj Nikës:
Të nderuar qytetarë të Vlorës,
Dëshiroj të ndaj me ju shqetësimin tim për shkeljet flagrante të ligjit të kryera nga adminsirtata e Bashkisë Vlorë. Konkretisht, sot në mbjedhjen e Këshillit Bashkiak, me forcën e kartonit u miratuar projekt-vendimi “Për disa shtesa dhe ndryshime në VKB nr. 111, datë 27.12.2024, për buxhetin e bashkisë për vitin 2025”. Ky projektvendim konsistonte në miratimin e fondit të trashëguar nga nga të ardhurat speciale në vlerën 29,049,000 lekë dhe kalimin e këtij fondi për investime (art. 231), “Për rivitalizimin e tregjeve tradicionale”.
Ky projektvendim i administratës së Bashkisë Vlorë është sjellë në Këshillin Bashkiak në shkelje të ligjit. Referuar Ligjit Nr.10 019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, neni 90, pika 4, parashikohet se:
“Katër muaj para datës së zgjedhjeve deri në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve ndalohet propozimi, miratimi ose nxjerrja e akteve ligjore ose nënligjore, të cilat parashikojnë dhënien e përfitimeve për kategori të caktuara të popullsisë, të tilla si aktet që parashikojnë rritjen e pagave, pensioneve, mbështetjes ekonomike apo sociale, uljen ose heqjen e taksave, vendosjen e amnistive fiskale, privatizimin apo dhënien e pasurive a të shpërblimeve, etj., përveçse kur nisma kushtëzohet nga gjendje të fatkeqësisë natyrore”.
Gjithashtu, projektvendimi i sipërcituar është në kundërshtim me Vendimin nr. 9, datë 13.02.2025 të KQZ, “Për rregullat e sjelljes së institucioneve publike në zgjedhje dhe ndalimin e keqpërdorimit të aseteve publike”. Kontretisht, në Kreun II, “Kategoritë e ndalimeve”, pika II.2/2, parashikohet se:
Pika II. 1. Ndalime për miratimin e akteve juridike
1. Katër muaj para datës së zgjedhjeve deri në formimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve ndalohet propozimi, miratimi ose nxjerrja e akteve ligjore ose nënligjore, të cilat parashikojnë dhënien e përfitimeve për kategori të caktuara të popullsisë, të tilla si aktet që parashikojnë rritjen e pagave, pensioneve, mbështetjes ekonomike apo sociale, uljen ose heqjen e taksave, vendosjen e amnistive fiskale, privatizimin apo dhënien e pasurive a të shpërblimeve, etj., përveçse kur nisma kushtëzohet nga gjendje të fatkeqësisë natyrore apo kur akti nënligjor nxirret në zbatim të afateve të detyrimeve ligjore dhe kur fondet janë të parashikuara përpara afatit të ndaluar, sipas këtij vendimi.
Ndërsa pika II.2/2 parashikon:
“2. “Veprimtari të ndaluara për t’u promovuar” janë edhe veprimtaritë publike të zhvilluara brenda dhe jashtë vendit sipas përkufizimit të nenit I.2, pika 3, të këtij vendimi, për të cilat janë vënë rishtazi apo posaçërisht në dispozicion, apo janë transferuar fonde publike jo sipas planit buxhetor të miratuar, në periudhën 4-mujore para datës së zgjedhjeve dhe që përfshijnë, por pa u kufizuar, si përdorimin e fondeve publike për mbështetje të subjekteve zgjedhore, vënien në dispozicion të aseteve të luajtshme dhe të paluajtshme, të parashikuara në nenin 142 të Kodit Civil, si dhe çdo burim njerëzor të institucioneve.
Gjithashtu, edhe Projektvendimi për “Miratimin e ngritjes së Qendrës Ditore për të Moshuarit”, i propozuar nga anministrata e Bashkisë Vlorë, tashmë i miratuar, është në shkelje të nenit 90, pika 4, të Kodit Zgjedhor.
Sa më sipër, vendimi i miratuar sot në Këshillin Bashkiak, pa votat e këshilltarëve të opozitës, është në shkelje flagrante të Kodit Zgjedhor dhe akteve nënligjore të nxjerra në zbatim të tij.
Nga ana jonë, do të ndiqen të gjitha hapat ligjorë për anullimin dhe shfuqizimin e këtyre vendimeve, duke i`u drejtuar zyrtarisht institucionit të Prefektit të Qarkut Vlorë për shpalljen e akteve administrative të sipërcituara “të paligjshëm”.
Dëshiroj të sqaroj publikisht qytetarët e Vlorës se, këshilltarët e opozitës në Këshillin Bashkiak nuk janë kundër zhvillimit të qytetit, përkundrazi jemi ne ata që kërkojnë më shumë përkushtim, më shumë investime dhe më tepër përgjegjshmëri për të menaxhuar qytetin tonë, por kurrsesi nuk mund të pajtohemi me shkeljet ligjore të një pushteti arrogant.
Ju faleminderit.