Gjergji Nika, kandidat për deputet në qarkun Vlorë nga Koalicioni Euroatlantik, shprehet se pasojat e qëndrimit të zgjatur në pushtet të figurave politike që, sipas tij, nuk rinovohen, por degradojnë.
“Politikanët që qëndrojnë në detyrë për periudha të gjata mund të bëhen diktatorë në mënyrat e tyre dhe rezistentë ndaj ideve të reja,” shkruan Nika. Ai vëren me shqetësim se skena politike shqiptare nuk po ofron më vlerë për qytetarët, por po mbyllet gjithnjë e më shumë në një rreth vicioz ku përvoja kthehet në arrogancë, dhe pushteti në vetëkënaqësi.
Duke përdorur një metaforë të goditur, Nika thotë: “Politikanët në Shqipëri nuk plaken si vera e mirë. Përkundrazi, ata shpesh bëhen të thartë ndërsa qëndrojnë më gjatë në rolet e tyre.” Sipas tij, sa më shumë zgjatet një figurë në skenën politike, aq më tepër rrezikon të shkëputet nga realiteti dhe nevojat e përditshme të qytetarëve.
Ai paralajmëron për pasojat e një politike që nuk rinovohet dhe ku përvoja përdoret si mburojë për të ruajtur privilegjet dhe jo si mjet për të shërbyer më mirë. “Ndërsa politikanët fitojnë pushtet dhe ndikim, mund të ketë një tundim më të madh për sjellje joetike. Ata fillojnë të përparësojnë vetëmbrojtjen ose besnikërinë ndaj partisë, mbi shërbimin ndaj publikut.”
Për Nikën, koha është për ndryshim – një ndryshim që nuk vjen thjesht nga rotacioni, por nga një rikonceptim i rolit të politikanit. “Ne kemi nevojë për përfaqësues që dëgjojnë, që reflektojnë dhe që shërbejnë, jo për figura që e shohin politikën si karrierë të përjetshme,” përfundon ai.