Gjergji Nika publikon programin për artin, kulturën dhe trashëgiminë kulturore: “Shqipëria meriton më shumë”

Kandidati i Koalicionit Euroatlantik, Gjergji Nika, ka bërë publik një fragment të rëndësishëm nga programi i këtij grupimi politik që i kushtohet artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore. Përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Nika ka shpërndarë angazhimet konkrete që Koalicioni Euroatlantik do të ndërmarrë në këto fusha thelbësore për identitetin dhe zhvillimin e vendit.

Postimi i plotë i Gjergji Nikës:

“Programi për artin, kulturën, trashëgiminë e kulturës dhe të mendimit ka si qëllim strategjik të shndërrojë artin, kulturën dhe trashëgiminë tonë kulturore në një industri kreative funksionale, të integruar dhe konkurruese, me ndikim të rëndësishëm social dhe ekonomik për të gjithë shqiptarët.

Shqipëria meriton më shumë, shqiptarët meritojnë më shumë, ndaj objektivi politik i programit tonë është:

‘Art dhe kulturë e aksesueshme për çdo qytetar, jo vetëm si një e drejtë humane, por si një faktor themeltar për një shoqëri më të shëndetshme, më tolerante dhe gjithpërfshirëse.’

Në qeverinë e re ne do të garantojmë:

Rritjen progresive të buxhetit për Artin, Kulturën dhe Trashëgiminë e Kulturës në masën 50 milion euro;
0% taksë për individin krijues, për të nxitur krijimtarinë në sektorin e industrisë kreative;
RINFOND – do të jetë fondi prej 1 MILION euro, i dedikuar për artistët e rinj në të gjitha fushat e krijimtarisë, sepse të rinjtë tanë meritojnë më shumë, ata duhet të shkëlqejnë me artin dhe talentin e tyre në Shqipëri;
Rritjen në masën 5 MILION euro të buxhetit për KINEMATOGRAFINË, duke synuar Prodhimin, Promovimin dhe Distribuimin e produktit kinematografik shqiptar;
Krijimin për herë të parë të mekanizmit të rimbursimit për të gjithë investitorët e huaj në kinematografi në masën 35% (mekanizmi i njohur si Tax Credit ose Tax Rebate);
10-fishimin e të ardhurave që gjenerohen nga industria kreative të lidhura me të drejtën e autorit – nga 0.7 milion euro që është sot, synojmë 7 milionë euro – përmes Strategjisë Kombëtare për zbatimin e ‘Ligjit për të Drejtën e Autorit’.

Krijimi dhe themelimi i institucioneve të reja, me më shumë kompetenca dhe pavarësi në zhvillimin e aktivitetit artistik, është domosdoshmëri për zhvillim të qëndrueshëm në fushën e artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore.”

Në fund të postimit, Nika u bën thirrje qytetarëve të mbështesin Koalicionin Euroatlantik në zgjedhjet e ardhshme me mesazhin:

“✅ Voto Numrin 4 | #KoalicioniEuroatlantik”

Ky program synon ta vendosë artin dhe kulturën në qendër të zhvillimit kombëtar dhe shpalos një qasje konkrete për transformimin e këtyre sektorëve në motorë të ekonomisë dhe mirëqenies sociale.

Artikulli paraprakKisha në restaurim përtej afateve dhe ikona të zhdukura në Voskopojë! Turistët shfaqin pakënaqësi: Bukur, por është prishur ikonografia! Lë shumë për të dëshiruar pjesa e mirëmbajtjes
Artikulli tjetërReagimi i Koalicionit Euroatlantik në lidhje me deklaratat e ish-prokurorit të përjashtuar nga drejtësia si i korruptuar, Arian Ndoja