Turizmi i qëndrueshëm dhe zhvillimi ekonomik afatgjatë nuk mund të ndërtohen mbi baza të padrejta fiskale dhe sociale. Kështu shprehet anëtari i Këshillit Bashkiak të Vlorës, Gjergji Nika, duke reaguar ndaj praktikave që, sipas tij, favorizojnë të pasurit dhe miliarderët, ndërkohë që shtresat e zakonshme të popullsisë përballen me barrën më të rëndë të taksave dhe vështirësive të jetesës.
“Turizmi i qëndrueshëm, dhe aq më pak ai ‘elitar’, nuk ndërtohet duke përjashtuar nga taksat miliarderët, ndërsa njerëzit e zakonshëm paguajnë çdo detyrim deri në çdo qindarkë dhe luftojnë për të mbijetuar,” – shprehet Nika.
Sipas tij, është i domosdoshëm një orientim i ri në politikat publike, ku në thelb të jetë “shpërndarja më e drejtë e burimeve”, “ndjeshmëria njerëzore” dhe “mbështetja konkrete për shtresat në nevojë”. Pa këto elementë, çdo strategji zhvillimi është jo vetëm e papranueshme moralisht, por edhe e paqëndrueshme ekonomikisht.
“Ajo që na nevojitet është shpërndarje më e drejtë e burimeve, ndjeshmëri njerëzore dhe mbështetje konkrete për të varfërit dhe plane sociale të mirëfillta. Kjo duhet të jetë në zemër të çdo politike publike dhe çdo angazhimi timin personal në Këshillin e Bashkisë Vlorë,” – shton Nika.
Ai nënvizon se vetëm përmes “solidaritetit dhe kohezionit social” mund të ndërtohet një shoqëri më e drejtë dhe një ekonomi më rezistente ndaj krizave.