Gjergji Nika, kandidat për deputet i Koalicionit Euroatlantik në Vlorë, ka bërë një deklaratë të fortë në një dalje televizive për median lokale, duke akuzuar hapur drejtuesit aktualë të qytetit si pengesë për të rinjtë dhe zhvillimin e qytetit.
“Vlora drejtohet nga çeta e 40 hajdutëve. Nuk i hapin rrugë të rinjve!” – u shpreh Nika me tone të ashpra, duke theksuar se edhe brenda radhëve të Partisë Socialiste ka të rinj të aftë e profesionistë, por që nuk lejohen të dalin përpara për shkak të një “klike” që ka uzurpuar pushtetin lokal.
Ai i bëri thirrje qytetarëve dhe të rinjve të bashkohen për të ndëshkuar, sipas tij, “hajdutët që kanë mbajtur peng Vlorën për vite me radhë”.
“Duhet të bëhemi të gjithë bashkë për t’i goditur hajdutët e qytetit,” u shpreh Nika, duke e cilësuar Koalicionin Euroatlantik si alternativën e vetme reale për ndryshim të vërtetë në qytet dhe në nivel kombëtar.
Deklaratat e tij vijnë në kuadër të një fushate të nxehtë, ku KEA po përpiqet të pozicionohet si një forcë e re, ndryshe nga politika e vjetër, duke synuar mbështetjen e elektoratit të zhgënjyer dhe të rinjve që kërkojnë përfaqësim të denjë.