Gjergji Nika: Vota e diasporës dhe rreziku i manipulimit!

Nga Gjergji Nika

Pothuajse i gjithë spektri politik në Shqipëri ditët e fundit i ka përqëndruar bateritë te vota e diasporës shqiptare nëpër botë.
PS është shumë përpara në këtë aspekt, pasi ka gati një vit që organizon takime me diasporën shqiptare në botë.
Ditët e fundit ka filluar, si gjithmonë me vonesë, edhe PD dhe aleatët e saj.
Deklaratat e përfaqësuesve politikë për të maksimalizuar votën e emigrantëve janë prezente në shtyp dhe në diskursin politik të tyre.

Por, a do ta bëjë vota e diasporës ndryshimin e pritur në Shqipëri?

Fakti është që Shqipëria nuk ka bërë asnjë hap në përfshirjen e diasporës në jetën politike e ekonomike të vendit, me përjashtim të thirrjeve të bukura për t’u përkëdhelur sedrën atyre, sikur janë pasaporta, fytyra më e mirë, më e bukur dhe më e aftë e Shqipërisë në botë.

Pak paradoksale kjo, pasi ata qytetarë shqiptarë u larguan nga Shqipëria për shkak të politikave, politikanëve të tranzicionit, vështirësive e padrejtësive të atyre personave, të cilët sot i ftojnë të votojnë për ta.

Normalisht, duke marrë edhe shembullin e SHBA, votimi jashtë vendit mund të ketë ndikim substancial në rezultatet e zgjedhjeve dhe si pasojë në jetën politike brenda shtetit.
Në rastin e Shqipërisë, e cila ka ka diasporë të madhe në proporcion me popullsinë brenda vendit, votimi i shtetasve shqiptarë me banim jashtë mund të jetë përcaktues.
Emigrantët shqiptare janë shtetas shqiptarë dhe shteti shqiptar duhet ta tregojë dhe demonstrojë këtë kujdes për shtetasit e vet kudo që ndodhen jashtë territorit shqiptar.

Por a duhet të votojnë?

A duhet të votojnë ndërkohë që nuk jetojnë në Shqipëri, nuk paguajnë taksat, nuk kontribuojnë realisht në jetën politike, sociale e ekonomike të vendit; në sistemin e pensioneve e sigurimeve?
A do të jetë reale vota e atyre, të cilët mahniten nga bukuritë e qyteteve të Shqipërisë kur vijnë me pushime në verë dhe çdo gjë është e bukur; jeta është e gjallë, ka njerëz e lëvizje?
Apo është reale vota e atyre që vijnë në dimër, kur ndoshta nuk ka drita, jetë e gjallëri e atmosfera është e zymtë?
Në të dyja rastet vota nuk do të jetë reale, por do të jetë me partiake, sipas interesit apo përshtypjes së momentit dhe lehtësisht e manipulueshme.
Ndoshta edhe në kundërshtim me dëshirën apo vullnetin e shqiptarëve që jetojnë e punojnë në Shqipëri.

Por përse diaspora duhet të votojë?

Diaspora përbën gati gjysmën e numrit total të zgjedhësve shqiptarë;
Diaspora ka më shumë kapacitete se në Shqipëri për shkak të mundësive dhe jo aftësive;
Diaspora ka qenë gjithmonë shtylla e ekonomisë së vendit tonë, tani duhet të vendosë edhe për të ardhmen politike të Shqipërisë;
Diaspora është më e hapur si mentalitet përballë izolimit në Shqipëri;
Diaspora nuk e shet votën, pavarësisht se mund të mos jetë reale;
Diaspora mund të krijojë një mentalitet apo lëvizje të re politike dhe të largojë xhaketat e vjetra të tranzicionit tonë të tejzgjatur, largon krimin nga politika dhe na afron më shumë me perëndimin, pasi voton dhe përfaqësohet kudo në botë;
Mundëson qytetarëve që jetojnë jashtë shtetit pjesëmarrjen në zhvillimet politike në vendlindje;
rrit interesimin e tyre në zhvillimin ekonomik të vendlindjes dhe mund të ketë ndikim pozitiv përmes investimeve dhe remitancave dhe siguron që qytetarët të mbajnë lidhje me prejardhjen e tyre.

Por a mund ta bëjë ndryshimin apo rotacionin vota e emigrantëve?

Kam besimin se jo, pasi në rast se kjo votë do të bënte rotacionin politik në Shqipëri, atëherë qeveria nuk do ta lejonte, sepse kjo qeveri i ka bërë me kohë kalkulimet se si fiton dhe sa fiton.

Kam frikë se vota e diasporës do të manipulohet ashtu siç është manipuluar historikisht vota e shqiptarëve dhe do të thellojë diferencën në favor të qeverisë aktuale. Pasi votat e diasporës, të cilat nuk dihet ende se ku e si do të numërohen, mund të shfrytëzohen nga mazhoranca aktuale për të plotësuar ato kuti në ato qarqe ku ata janë defiçit.

Kjo edhe për shkak të opozitës shqiptare, e cila është e fragmentarizuar, e përçarë, armiqësore brenda llojit dhe, në rast se do të vazhdojë me të njëjtën qasje politike, atëherë diferenca do të jetë shumë e madhe dhe humbja katastrofike.

Exit mobile version