Marrëveshja e koalicionit qeveritar mes CDU/CSU dhe SPD u nënshkrua. Kancelarja e lëvdoi marrëveshjen në ceremoninë e nënshkrimit. Krerët e partive dhe të grupeve parlamentare të CDU dhe CSU dhe SPD nënshkruan në Berlin marrëveshjen prej 177 faqesh për programin e tyre të ardhshëm qeveritar. Në ceremoninë përkatëse në ndërtesën Paul-Löbe-Haus të Bundestagut, kancelarja tha se marrëveshja e koalicionit u përgjigjet si duhet sfidave të kohës dhe ofron zgjidhje. Përpjekja për marrëveshjen ia vlejti, edhe në frymën e respektit për njëri-tjetrin. Marrëveshja parashikon përmirësime konkrete për njerëzit dhe njëkohësisht mban parasysh të ardhmen, shtoi ajo. Ministri i caktuar i Financave dhe zëvendëskancelari, socialdemokrati Olaf Scholz theksoi se, koalicioni i madh duhet të mbajë parasysh preokupimin për ta mbajtur të bashkuar shoqërinë. Ai shtoi më tej se është një sinjal i mirë që politika ndaj Evropës luan një rol kaq të madh në marrëveshjen e koalicionit. Për CSU-në, kryetari i partisë Horst Seehofer theksoi se, marrëveshja e koalicionit mban parasysh njerëzit me pak të ardhura. Dokumenti ka përmbajtje të fortë, tha ai. Tani rëndësi ka që ai të zbatohet me frymën e duhur dhe me ritëm. Më parë, kryetarët e partive patën theksuar se duan të përpiqen për një përafrim të kushteve të jetesës në Gjermani. Mirëqenia duhet të mbërrijë tek të gjithë njerëzit, tha Merkeli. Të mërkurën, në Bundestag do të hidhet në votë zgjedhja e Angela Merkelit si kancelare e Gjermanisë. Pas kësaj, pritet që qeveria e re të bëjë betimin.
Kryesore
Continue to the categoryAtentati në Shkodër, Basha: Ngjarja tregon dorëzimin e shtetit para bandave...
Kryetari i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka reaguar për atentatin e fundit në Shkodër, duke e cilësuar situatën si një alarm për qytetarët.
Në...