Gjermania i kërkon Serbisë marrëveshje me Kosovën

Kancelarja gjermane Angela Merkel, i tha në Berlin presidentit serb, Aleksandër Vuçiç se vendi i saj mbështet integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, por pasi të ketë arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Presidenti serb tha se vendi i tij është i gatshëm për një zgjidhje kompromisi me Prishtinën, ndërsa përsëriti se kjo do të nënkuptonte një marrëveshje në të cilën të dyja palët humbin njesoj.
Kancelarja gjermane Angela Merkel tha të martën në Berlin se, Serbia duhet të arrijë një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën para se të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Zonja Merkel i bëri këto komente pas takimit me presidentin serb Aleksandër Vuçiç me të cilin siç tha ka diskutuar pjesërisht edhe për rrugët e arritjes së marrëveshjes me Kosovën. “Bisedimet për anëtarësim mund të jenë të suksesshme me reformat e mëtejshme në fushën e sundimit të ligjit dhe në dritën e marrëdhënieve me Kosovën”, tha zonja Merkel, por nuk foli se si mund të duket një marrëveshje e tillë.
Presidenti serb, Vuçiç, tha se vendi i tij është i gatshëm për një marrëveshje kompromisi me Prishtinën.

“E dimë që para nesh është pengesa e rëndë që është çështja e zgjidhjes së marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Nuk e fsheha para kancelares Merkel se, me sa shumë probleme përballemi, çfarë është ajo që duhet dhe mund të bëjmë. Ne do të punojmë për këtë, sepse i thashë kancelares, më me rëndësi është ta duam tokën e fëmijëve tanë sesa tokën e pararendësve tanë. Serbia është e gatshme për zgjidhje kompromisi. Serbia është e gatshme për zgjidhje në të cilën edhe njëra edhe pala tjetër do të humbin diçka”, tha presidenti serb. Ai shkoi në Berlin një ditë, pasi që në Beograd u takua me presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, i cili po qëndron në rajon në dritën e strategjisë së zgjerimit të Bashkimit Evropian me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimorë. Zoti Juncker tha se, përmendja e vitit 2025 si periudhë e anëtarësimit të Serbisë dhe Malit të Zi, si dy nga vendet me shkallë të përparuar të bisedimeve, nuk është zotim, por një inkurajim për vendet kandidate, ndërsa nënvizoi se në Bashkimin Evropian nuk mund të pranohen vendet që kanë probleme të hapura.

Presidenti Juncker, të mërkurën pasdite pritet të qëndrojë në Prishtinë, në përmbyllje të vizitës në Ballkanin Perëndimor. Strategjia e zgjerimit e përfshinë Kosovën në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, e cila vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës, por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve në shkëmbim të integrimit në BE. Të hënën dhe të martën në Bruksel, të dyja palët mbajtën një raund të ri bisedimesh teknike, ndërsa së shpejti mund të priten takime të reja në nivelin më të lartë politik për të diskutuar mundësinë e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse që do t’u mundësonte të dyja palëve përshpejtimin e proceseve integruese, ndonëse Kosova është e fundit në rajon. Publikimi i strategjisë zë zgjerimit në fillim të këtij muaji është një nga zhvillimet e rëndësishme për rajonin gjatë këtij viti. Në muajin prill, Komisioni Evropian do të publikojë raportin e përparimit të vendeve të rajonit, ndërsa në muajin maj në Sofje, pritet të mbahet takimi i lartë i vendeve të Ballkanit Perëndimor. Strategjia e zgjerimit do të diskutohet më pas në qershor në takimin e lartë të Bashkimit Evropian, kur Shqipëria dhe Maqedonia shpresojnë të marrin datën e hapjes së bisedimeve, ndërsa në korrik në Londër do të mbahet takimi i radhës i vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Këto zhvillime shihen si një përpjekje e ripërtërirë e Bashkimit Evropian për një qasje ndryshe ndaj rajonit të trazuar për shkak të rritjes së ndikimit rus e kinez, krizës së emigracionit, rrëshkitjes së Turqisë drejt autoritarizmit dhe synimit për të forcuar integrimin evropian pas largimit të Britanisë në vitin 2019.

Artikulli paraprakZidane i zhgënjyer
Artikulli tjetërBanka e Shqipërisë i shpalli luftë euros, por bankat mbushen me valutë në janar