Federata Gjermane e Futbollit kërkon që Kupa e Konfederatave, e cila zhvillohet një vit para Kampionatit Botëror, të eliminohet si aktivitet nga kalendari ndërkombëtar, pasi është një turne i pakuptimtë. Propozimi ka ardhur nga presidenti i kësaj federate, Reinhardt Grindel.
“Kupa e Konfederatave është bërë anakronike dhe e dëmshme. Edhe klubet më të mëdha ankohen tashmë se i dorëzojnë lojtarët për shumë ndeshje. Do të kërkojmë ndërhyrjen e FIFA-s, duhet të përballet ajo me gjërat, të cilat zakonisht i mbajnë mbi shpinë federatat”, tha Grindel.
Edhe trajneri i përfaqësueses gjermane, Joakim Lëv, është kundër këtij turneu. Ai ka lënë të kuptohet se për aktivitetin në fjalë nuk do të grumbullonte lojtarët më të mirë që kishte në dispozicion, por shumë të rinj, për t’i testuar para Botërorit. Sipas trajnerit, për shumë lojtarë ishte fizikisht e papërballueshme që të luanin tre vite radhazi gjatë verës në aktivitete ndërkombëtare, duke pasur parasysh se në verën e 2016 ishte luajtur Europiani dhe në atë të 2018 luhej Botërori.