Gjermania në krizë, çfarë pritet nga qeveria e re? Bizneset kërkojnë ndryshim rrënjësor ekonomik dhe politik pas zgjedhjeve

Gjermania është në recesion prej dy vitesh. Bizneset besojnë se nevojitet një ndryshim rrënjësor ekonomik dhe politik pas zgjedhjeve të ardhshme federale. Çfarë kërkon ekonomia gjermane nga qeveria e re në Berlin?

Kosto më të ulëta të energjisë, më pak taksa, më shumë stimuj financiarë për investime. Ligji i punës më fleksibël. Ngrirja e shpenzimeve sociale. Dhe mbi të gjitha, më pak burokraci. Këto janë gjërat që ekonomia gjermane kërkon nga qeveria e ardhshme federale. “Ekonomia është në rënie. Shkalla e papunësisë po rritet.Gjermaniapo bëhet gjithnjë e më pak tërheqëse për investitorët”, thotë Rainer Dulger, president i Shoqatës së Punëdhënësve, për situatën aktuale në Gjermani.

Ka mungesë të fuqisë së kualifikuar punëtore, u ankua ai. Niveli i rregullave dhe i burokracisë është rritur vitet e fundit, ashtu siç janë rritur edhe kostot e punës dhe përfitimet e tjera për kompanitë, kritikoi Dulger. “Një vend që po bëhet gjithnjë e më i shtrenjtë për të investuar duhet të jetë gjithnjë e më i mirë, nëse dëshiron të jetë një vend atraktiv për investime. Por Gjermania nuk është e tillë. Republika Federale nuk është më konkurruese në krahasimin global”, është diagnoza e Dulger.

Roli i industrisë në Gjermani

Fuqia ekonomike e vendit mbështetet kryesisht (më shumë se 25 për qind) në industri. Pas dy vitesh në recesion, Shoqata Federale e Industrisë Gjermane (BDI) pretendon se prodhimi në kompani është më i ulët sot se sa ishte pesë vjet më parë. Lajme të ngjashme negative vijnë edhe nga sektorë të tjerë. Kudo në Gjermani po prodhohet më pak, më pak po ndërtohet, më pak po blihet e konsumohet.

Ekspertët ekonomikë që këshillojnë qeverinë federale thonë në analizën e tyre aktuale vjetore se ata kanë vërejtur një rënie të vazhdueshme që shtrihet në të gjitha industritë dhe sektorët. Veçanërisht shqetësuese: Gjermania po eksporton gjithnjë e më pak.

Për dekada, modeli gjerman bazohej në një formulë të thjeshtë: lëndët e para dhe produktet gjysëm të gatshme bliheshin relativisht lirë jashtë vendit, më pas me ndihmën e aftësive punëtore gjermane dhe energjisë së lirë, ato “përpunoheshin” në teknologji që mbante etiketën e nohur në botë “Made in Germany”.

Agresioni rus kundër Ukrainës, kriza energjetike, inflacioni dhe tranzicioni drejt një ekonomie neutrale ndaj klimës kanë rezultuar me rritjen e çmimeve të energjisë. Ky është një problem veçanërisht për ato kompani që konsumojnë shumë energji. Sektorët më të rëndësishëm ekonomikë si inxhinieria mekanike dhe pajisjet elektrike janë prekur më së shumti. Ndërsa industria kimike, pas një rënie të ndjeshme në vitin 2023, është stabilizuar në një nivel të ulët, thonë ekspertët.

Largimi i kompanive jashtë vendit

Ekonomia kërkon ulje të ndjeshme të çmimeve të energjisë elektrike për t’u bërë sërish konkurruese. Në krye të listës së dëshirave është edhe kërkesa për uljen e kostove të burokracisë. Instituti i Mynihut Ifo flet për një shumë prej 65 miliardë eurosh në vit – këto janë paratë që kompanitë gjermaneduhet të shpenzojnë për të përmbushur detyrime të ndryshme ligjore, për shembull në lidhje me dokumentacionin e biznesit, apo plotësimin e parakushteve për miratimin e projekteve të reja.

Gjendja në kompani është e keqe dhe shumë prej tyre po kërkojnë të investojnë jashtë vendit, po kërkojnë alternativa tërheqëse atje. Në një sondazh të BDI-së thuhet se rreth një e treta e kompanive të anketuara kanë zhvendosur departamentet e tyre të kërkimit dhe zhvillimit jashtë vendit. Kreu i BDI, Peter Leibinger, paralajmëron se ky migrim po kërcënon Gjermaninë si një destinacion për aktivitetin ekonomik – “deri në thelb”, siç tha ai.

Mesazh politikës

Exit mobile version