Gjermania nuk gabon në start

Gjermania e nis me gazin në minimum Europianin 2016, duke u mjaftuar me nga një gol në çdo pjesë, duke marrë tre pikët ndaj Ukrainës. Në Lille u zhvillua ndeshja e dytë e grupit C, ku kampionët e botës iu falën golave të Shkodran Mustafit dhe Bastian Schweisteiger. Pjesa e parë ishte spektakolare dhe me raste të shumta nga të dyja krahët, ia la vendin pjesës së dytë me dy ekipe më të kujdesshme dhe dukshëm të lodhura. Ukraina e karikuar në maksimum për këtë sfidë e kërkoi portën që në minutën e 5 me Konoplyankan, që hasi në kundërpërgjigjen e Neuer. Goli i parë nuk vonoi, pasi ishte Shkodran Mustafi, ai që në minutën e 19 u shkëput fuqishëm me kokë, duke shfrytëzuar në maksimum topin e Kroos, duke mos i dhënë asnjë mundësi portierit Pyatov.
Zhbllokimi i rezultatit e bëri ndeshjen edhe më spektakolare dhe kjo kryesisht për meritë të Ukrainës që luftoi si e barabartë në çdo front. Në të 27-ën, Khacheridi ishte shumë pranë golit, por sërish Neuer magjik në reagim, ndërsa Khedira replikoi me një goditje qëndrore pas stolipim perfekt që i bëri topit, por gardiani ukrainas grushtoi. Në të 37-ën, Konoplyanka goditi në mënyrën më të keqe të mundshme, por çuditërisht topi iu drejtua rrjetës dhe ishte Boateng, ai që e largoi në vijën fatale. Me rikthimin në fushë ritmi ra ndjeshëm. Në minutën e 57 Rakitskiy goditi direkt në portë, por Neuer nuk lejoi që porta e tij të prekej. Në krahun tjetër, Khedira lëshoi një të djathtë që impenjoi Pyatov, ndërsa Ozil dogji një mundësi të artë për të dyfishuar shifrat vetëm dy minuta nga fundi. Në minutën e fundit shtesë, ishte Schweinsteiger që vulosi fitoren 2-0 pas një kundërsulmi të shpejtë. Një fitore e pastër që i mjafton Gjermanisë për të ruajtur hapin e Polonisë, ndërsa Ukraina dorëzohet pas 90 minutave ku falë lojës që zhvilloi mund të kishte merituar diçka më shumë.
Polonia përmbush pritshmëritë në ndeshjen e parë të saj në Euro 2016, fiton 1-0 me Irlandën e Veriut dhe hedh kandidaturën për të kaluar në raundin tjetër. Arkadius Milik, më i miri për polakët në sfidën e Nisës, realizoi golin e vetëm të takimit, që duhet pranuar përgjithësisht u dominua nga skuadra e Nawalkas. Një debutim me humbje për irlandezo-veriorët, që pavarësisht dëshirës për të lënë shenjë në Europian, ishin ndjeshën më inferiorë në cilësi.
Takim nisi nën diktatin e Polonisë që me dyshen sulmuese Lewandwski – Milik ishte një rrezik përmanent në portën kundërshtare. Rasti i parë i pastër u regjistrua në minutën e 32-të, teksa Milik, krijoi hapësirën për të goditur, por topi përfundoi jashtë. Në të 39-ën, Kapustka provoi nga një pozicion mjaft i volitshëm, por McGover me reflekset e tij shmangu rrezikun.
Vetëm gjashtë minuta nga starti i pjesës së dytë, Polonia gjeti rrugën e rrjetës me sulmuesin e Ajaksit të Amsterdamit, Milik, që u tregua i saktë brenda zonës pas një aksioni të gjatë. Pësimi i golit e detyron Irlandën e Veriut të shohë më shumë nga sulmi, por mbrojtja polake u shfaq solide.
Milik në të 82-ën provoi me të parën pas një topi të mbetur në zonë, por McGover reagoi në pozicion. Krychowiak nuk gjeti portën në të 87-ën, ndërsa në minutat e mbetura, Polonia e administroi me zgjuarsi lojën për të siguruar një fitore shumë të rëndësishme për kalimin e Grupit C.

Artikulli paraprakKroacia i falet magjisë së Modriç
Artikulli tjetërMatuidi dhe Sissoko: Shqipëria e frikshme